Ilustrim: Kuletë (Arkivë) - Foto: KALLXO.com

E gjeti kuletën me para, ferizajasi e dorëzon në Polici

Një qytetar nga Ferizaj ka gjetur një kuletë me para dhe disa dokumente të tjera të cilat i ka dorëzuar në Stacionin e Policisë në këtë qytet.

Kuleta me dokumente, i takonte një qytetari të nacionalitetit serb nga Komuna e Shtërpcës.

“Sot rreth orës 13:40, një qytetar i Ferizajt (M/SH/K),  në parkingun e një qendre tregtare në Ferizaj, ka gjetur një portofol me para dhe dokumente të humbura. Portofoli i përkiste një qytetari të nacionalitetit serb nga Shtërpca. Ai menjëherë ka njoftuar policinë dhe portofolin e gjetur e ka dorëzuar në stacionin policor të Ferizajt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas procedurave të verifikimit të pronarit, këtij të fundit në prani të policisë i kthehen paratë dhe dokumentet e tjera.

“Pas procedurave të verifikimit të pronarit, në prani të policisë, pronarit i kthehen paratë (110 euro dhe 40 dinarë) dhe dokumentet tjera (letërnjoftimi i RKS-së, letërnjoftimi i SRB-së, patentë shoferi i SRB-së dhe dy kartela bankare)”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka falënderuar qytetarin për gjestin e tij.