Foto: ZPRK
E ftuar nga homologu Millanoviq, presidentja Osmani për vizitë pune në Kroaci
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, po qëndrojnë në Kroaci me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Millanoviq.
Sipas një komunikate të Presidencës, presidentja dhe bashkëshorti i saj do të marrin pjesë në manifestimin tradicional Sinjska Alka, i cili organizohet nën patronatin e presidentit kroat.
“Me ftesë të Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović dhe Zonjës së Parë Sanja Musić Milanović, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu po qëndrojnë në një vizitë pune në Kroaci, me ç’rast do të marrin pjesë në manifestimin tradicional Sinjska Alka, i cili organizohet nën patronatin e Presidentit kroat”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim bëhet e ditur se ky manifestim organizohet në nderim të sakrificës dhe trimërisë së ushtarëve kroatë në mbrojtje të atdheut.
“Në prani të mijëra qytetarëve kroatë, Sinjska Alka organizohet në nderim të sakrificës dhe trimërisë së ushtarëve kroatë në mbrojtje të atdheut. Këto manifestime përfshijnë një sërë ngjarjesh kulturore dhe artistike, në të cilat Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, do t’i bashkohen Presidentit Milanović dhe Zonjës së Parë Musić Milanović”- theksohet në kumtesë.
Teksa i ka falënderuar për ftesën, Osmani ka potencuar edhe mbështetjen e madhe që Kroacia i jep Kosovës ndër vite.