E fshehin në rrobat për të burgosurin, familjarët përpiqen të fusin drogë në Burgun e Dubravës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka arritur të parandalojë futjen e drogës në burgun e Dubravës.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur sot rreth orës ‪‪15:45.

Oficerët korrektues kanë gjetur një sasi narkotikësh që familjarët kanë tentuar ta fusin në ambientet e burgut ku gjendet një i afërm i tyre.

“Oficerët korrektues gjatë kontrollit rutinë të gjësendeve të sjella nga familjarët, më saktësisht në rroba, kanë arritur ta parandalojnë futjen e subestances së dyshuar narkotike, e cila ishte tentuar të futet brenda në mënyrë të improvizuar”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Kurse i dënuari ka pohuar se substanca e dyshuar narkotike ishte e dedikuar për të dhe ndaj tij është iniciuar procedurë disiplinore, ndërsa për familjarin e dyshuar, sipas procedurës, për rastin është njoftuar Policia.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës çdo herë do të jetë i përkushtuar dhe vigjilent në luftimin e dukurive negative dhe kontrabandës brenda institucioneve korrektuese”, thuhet në njoftim.