E ekspozoi armën në ballkon, i dyshuari në Pejë u drejtohet policëve: "Nëse afroheni, do t'ju gjuaj..."

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 14.01.2025, ka arrestuar një person në Pejë për “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim të armës”.

Sipas Policisë, i dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar – duke iu thënë policëve se “nëse afroheni, do t’ju gjuaj ose do ta vrasë veten.”

Policia kishte marrë fillimisht informatën se në rrugën “Ali Bajraktari” në Pejë ka të shtëna me armë.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku fillimisht i dyshuari është vërejtur me armë – duke e ekspozuar në ballkonin e banesës.

I njëjti më pas – sipas Policisë – ka refuzuar të dorëzohet, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë se nëse afroheni do t’i gjuante ose do ta vriste veten.

Pas një kohe negocimi me të dyshuarin, i njëjti është qetësuar dhe më pas edhe arrestuar.

Nё banesën e tё dyshuarit janё gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkё automatike dhe 1 karikator i sё njëjtёs armё; 1 armё pistoletё Zoraki; 36 fishekё kal: 7.63×39; 35 fishekё kal:32; 3 gёzhoja kal: 7.63×39; 2 gёzhoja kal: 32 auto; 1 thikё.

Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.