Ilustrim: Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

E dyshuara e dytë në rastin e keqtrajtimit të fëmijës u arrestua pasi nuk e lajmëroi rastin

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar lidhur me rastin e keqtrajtimit të një fëmijë në një çerdhe private në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se e dyshuara e dytë është arrestuar për moslajmërim të keqtrajtimit.

“Njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, sot kanë arrestuar një person tjetër lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës së raportuar me datën 10  shkurt 2020. E dyshuara është arrestuar për mosraportim të rastit. Pas intervistimit e dyshuara Sh.A. me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.

Mbrëmë Policia kishte arrestuar një punonjëse të çerdhes private “Cambridge Kids” pasi që e njëjta shihej në një video- incizim duke rrahur një fëmijë 16 muajsh.

Nëna e fëmijës për KALLXO.com kishte shpjeguar se si kishin dyshuar se ndaj fëmijës së saj po ushtrohej dhunë fizike.

Që nga dje KALLXO.com vazhdimisht kishte raportuar për këtë rast.

Çerdhja private me anë të një reagimi ka kërkuar falje ndërsa kishte shtuar se kishin larguar nga puna punonjësen që shihej në pamjet e publikuara nga nëna e fëmijës në rrjetin social “Facebook”.

Gjithashtu, sot KALLXO.com raportoi se çerdhja private “Cambridge Kids” nuk kishte pasur licencë, e në anën tjetër e njëjta çerdhe është mbyllur nga ana e inspektoratit.