E diela ditë pushimi për bizneset në Junik

Komuna e Junikut ka njoftuar se nga 26 janari do të fillojë zbatimi i rregullore së re e cila parasheh ditën e diel si ditë pushimi për të gjitha bizneset.

Sipas njoftimit të komunës, rregullorja e re do të vlejë për të gjitha veprimtaritë afariste që veprojnë në Komunën e Junikut.

“Njoftohen të gjithë qytetarët që ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste brenda territorit të komunës së Junikut se nga e diela e datës 26.01.2020, do të fillohet me implementimin e rregullores së re, ku është e përcaktuar që e diela është ditë pushimi për të gjitha veprimtaritë në territorin e Komunës së Junikut”, thuhet në njoftim.

Përjashtim për këtë rregullore bëjnë barnatoret, bukëpjekësit, pompat e derivateve dhe sallonet e bukurisë.

Komuna ka njoftuar se për sallonet e bukurisë, ditë pushimi do të jetë dita e martë.

“Mosrespektimi i kësaj rregullore nga ana e përfaqësuesve që ushtrojnë veprimtaritë e tyre brenda territorit të Komunës së Junikut do të bie ndesh me rregulloren në fjalë dhe inspektorati i Komunës së Junikut do të filloi me shqiptim të gjobave për mosrespektim të rregullores nga e diela e datës 26.01.2020”, thuhet në njoftim.

 

Rregullorja e njejtë zbatohet edhe nga disa komuna të tjera.

Mitrovica e vendosur që bizneset të mos punojnë të dielave

Komuna e Vushtrrisë planifikon të dielën pushim për bizneset