E diel e përgjakshme në Mianmar

Liderja e rrëzuar nga pushteti në Mianmar (Birmani) Aung San Suu Kyi pritet të dalë para gjykatës më 15 mars, pas një prej ditëve më të përgjakshme në këtë shtet, prej puçit ushtarak të 1 shkurtit.

Të paktën 38 protestues janë vrarë më 14 mars, pasi forcat e sigurisë kanë shtypur protestuesit kundër puçit, duke kërkuar lirimin e Suu Kyisë dhe rikthimin e demokracisë në këtë shtet të Azisë Juglindore.

Forcat e sigurisë kanë gjuajtur me armë zjarri protestuesit pro-demokracisë, duke vrarë 22 prej tyre në Hlaingtharyar, ka thënë grupi vëzhgues, Asociacioni për Ndihmë për të Burgosurit Politikë.

Në raportime tjera është thënë se numri i personave të vrarë në qytetin Yangon ka shkuar në 63.

Prej puçit të 1 shkurtit, protestuesit kanë dalë në rrugët e Mianmarit, pavarësisht rritjes së shkallës së dhunës nga ushtria.

Protesta tjera kundër pucit janë planifikuar më 15 mars.

Ndërkohë seanca ndaj Suu Kyisë, pritet të mbahet në mëngjesin e së hënës, sipas kohës lokale.

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe përballet me akuza për posedim të paligjshëm të radio-lidhjeve, për shkelje të kufizimeve për koronavirusit, për shkelje të ligjeve për telekomunikimeve dhe synime për të nxitur pakënaqësi publike.

Autoritetet ushtarake kanë akuzuar atë edhe për pranim të pagesave të paligjshme në vlerë të 600,000 dollarëve, si dhe për sasi të pranimit të arit.

Avokatët e saj besojnë se këto akuza janë të “pabaza”.

Partia e Suu Kyisë, Liga Kombëtare për Demokraci, ka fituar me shumicë votash zgjedhjet e vitit të kaluar, mirëpo ushtria tani beson se procesi është manipuluar.

Vëzhguesit e pavarur ndërkombëtarë kanë hedhur poshtë pretendimet e ushtrisë – duke thënë se nuk janë vërejtur parregullsi./REL