
E dërguan me forcë një person në pyll, arrestohen tre të dyshuar
Policia e Kosovës ka njoftuar se tre persona janë arrestuar në Prizren, nën dyshimet për “privim të kundërligjshëm nga liria”. Sipas Policisë dyshohet se të njëjtit me forcë kanë marrë viktimën mashkull kosovar dhe e kanë dërguar në pyll.
“Më 12 mars 2025, Njësite policore nga Stacioni Policor në Prizren pas pranimit të informatës, se në një fshat të Prizrenit një person mashkull kosovar dyshohet se ishte privuar kundërligjshëm nga liria, kanë ndërmarrë veprime të shpejta operative hetimore, duke arritur që të lokalizojnë dhe arrestojnë tre të dyshuar meshkuj kosovar, me inicialet F. SH. viti i lindjes 1998, A.SH. viti i lindjes 2001 dhe D.SH. viti i lindjes 2003, të cilët me viktimën ishin nisur në drejtim të Prizrenit.” – tha Policia.
Policia ka konfiskuar edhe një armë zjarri pas kontrollit te të dyshuarit.
“Gjatë kontrollit te të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë pistoletë e tipit EKOL, e kalibrit 9 mm, e cila do të përdoret si provë për Gjykatën. Pas arrestimit të të dyshuarve viktimës i është ofruar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Prizrenit.” – sqaroi Policia mes të tjerash.
Sipas Policisë: “me Vendim të Prokurorit të Shtetit tre të dyshuarit janë ndalur në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngritet kallëzim penal për veprat penale ‘privim i kundërligjshëm i lirisë’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ‘kanosje’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’.