E dëmtuara: Ende vazhdoj të paguajë kredi për banesën që nuk e mora kurrë

Në gjykimin për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash në lidhje me mashtrimin e 176 qytetarëve për shitblerjen e banesave nga kompania “Venis-O-Group”, të akuzuarit janë ballafaquar me dëshmitarin Bashkim Muharremi.

Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllani, po akuzohen se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë marrë kurrë.

Dëshmitari Muharremi tha se të akuzuarën Estrida Bunjaku, e ka njohur fillimisht kur ka dashur që të blejë një pronë dhe e akuzuara ka punuar si ndërmjetësuese e shitblerjeve të pronave, mirëpo ky tentim për blerje të asaj prone kishte dështuar.

Ai shtoi se ka kuptuar nga mjetet e informimit, që tani e akuzuara Bunjaku, gjendet në vështirësi, pasi nuk ka mundur të realizojë ndërtimin.

“Kur e kam kuptuar nga mjetet e informimit, jam interesu me kontaktu me Estridën, për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej. Unë kam dashur ta ndihmoj Estridën. Jam takuar me të dhe ajo më ka njoftuar për rrjedhën e situatës, pastaj jam takuar me klientët e saj”, tha Muharremi.

“Unë u kam premtuar klientëve të saj që në moment që sigurohet leja e ndërtimit, unë e marrë përsipër që ta kryej ndërtimin. Për lejen e ndërtimit, Estrida me firmën e saj dhe bashkëpunëtoret e vet, veç se kanë apliku dhe kanë fillu bazamentin e objektit. Pas fillimit të punëve, në pronën që flitet, kanë dalë probleme pronësie, më shkurt me mexhë. Jam njoftuar nga Estrida për këto probleme që ka pronari i tokës me palë të treta dhe e di që ky rast është akoma i pa zgjidhur dhe s’kemi mujtë me u pajisë me leje aty kurrë”, shtoi Muharremi.

I njëjti tha se pas takimit me palët, ka qenë gjithmonë në kontakt me ta, dhe u ka premtuar atyre se qëndron prapa asaj që ka thënë dhe se premton sërish të njëjtën gjë.

“Hetuesia kur më ka ftu, kam deklaru që e marr përsipër me i përfundu këto ndërtime, pas pajisjes me leje ndërtimi, dhe ata me kanë premtu që nëse qëndron pranë kësaj, aktakuza ndaj Estridës nuk do ngritet”, shtoi dëshmitari Muharremi.

Ndërsa të fund të seancës, të dëmtuarit u deklaruan rreth shumave apo banesave që do donin t’iu ktheheshin.

Njëra nga të dëmtuarat, Suzana Feta, tha se akoma vazhdon të paguajë kredi për shkak të mashtrimit që i është bërë nga e akuzuara Bunjaku.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, pronarja e kompanisë “Venis-O-Group”, Estrida Bunjaku si dhe pesë persona të tjerë: Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani e Faton Orllani të cilët nga prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje me pronaren e kompanisë “Venis-O-Group”, i kanë mashtruar 176 qytetarë të cilëve u kanë paraqitur oferta të volitshme për shitblerjen e banesave ku më pas kontratat për shitblerjen e këtyre banesave kanë rezultuar të rrejshme.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga të dëmtuarit, në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar vlerën e të hollave në shumë prej 2 milionë eurove.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit paraprakisht kanë qenë të obliguar, që grupit t’i paguajnë shumën e të hollave në vlerën më të vogël prej pesë mijë eurove e deri tek shuma më e madhe në vlerë rreth 200 mijë euro.

Sipas Prokurorisë këto të holla janë paguar në xhirollogarinë e kompanisë “Venis-O-Group” dhe në xhirollogarinë personale të Estrida Bunjakut e cila më pas përmes zyrtarëve të vetë të gjitha këto të holla i ka tërhequr brenda ditës dhe pastaj në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë bërë shpëlarjen e këtyre parave.

Dëshmitari: Nuk e mora kurrë banesën e blerë nga ‘Venis-O-Group’