E dëboi nga shtëpia dhe kanosi me vdekje gruan, Gjykata vendos për të dyshuarin

Të pandehurit E. E., nga Prizreni të premten i janë caktuar 30 ditë paraburgim pasi dyshohet se e ka kanosur me vdekje gruan e tij dhe i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Rasti sipas gjykatës ka ndodhur më 14 gusht 2022, në Prizren derisa viktima ishte kthyer në shtëpi.

“Si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme, i pandehuri e kap për flokë dhe ia shtrëngon krahun duke e tërhequr zvarrë për flokë e për krahu e duke i thënë fjalë ofenduese “dil nga shtëpia” dhe vazhdon me ofendime, me të cilat veprime e dëmtuara pëson lëndime trupore”- thuhet në njoftim.

I pandehuri ditën kritike po ashtu dyshohet se ka kërcënuar të dëmtuarën duke i thënë se do ta mbys.

“Nga data 14 gusht e në vazhdimësi i pandehuri E. E., e kanos të dëmtuarën – bashkëshorten e tij/viktimën e ndjeshme me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta, në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, i pandehuri i drejtohet me fjalët kanosëse të dëmtuarës “kam me të mbyt ty dhe vëllain, kam me ia q.. nënën, me mua nuk e keni lehtë dhe nuk ka me ju dal mirë” me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri”- njofton Gjykata.

Me këto veprime E. E., po dyshohet se ka kryer veprat penale lëndimi i lehtë trupor dhe veprën penale kanosja.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit do të llogaritet nga koha e arrestimit 17 gusht 2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16 shtator 2022.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka ardhur në përfundim se në këtë fazë, caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.