FOTO- Urim Krasniqi

E ardhmja e politikës së jashtme të Kosovës: Një listë dëshirash

Tërmeti elektoral i së dielës do të duhej po ashtu të përkthehej në një rishikim të qasjes në raport me politikën e jashtme, një qasje që i mundëson Kosovës të sillet me të vërtetë si një shtet sovran e i pavarur. 

Të dielen, Vetëvendosja i fitoi zgjedhjet parlamentare të Kosovës në shkallë të gjerë, pjesërisht për shkak të opsionit të vetëm elektoral për drejtësi socio-ekonomike dhe politike dhe pjesërisht si rezultat i pakënaqësisë së qytetarëve me rezultatet e dobëta të qeverive të mëparshme.

 Kjo parti e përqendroi fushatën e saj zgjedhore rreth çështjeve të brendshme dhe bëri vetëm premtime modeste mbi politikën e jashtme. Në programin e saj zgjedhor, LVV bëri angazhime për të ndjekur një politikë të jashtme aktive, inovative dhe parimore dhe sinjalizoi gatishmërinë e saj për t’i mirëmbajtur marrëdhëniet strategjike me Shqipërinë, SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sa i përket Bashkimit Evropian, LVV u përqëndrua në nevojën për t’i arritur standardet e kërkuara për anëtarësimin në BE përmes arsimit dhe ndihmës për zhvillim dhe u zotua ta rikthejë Ministrinë e Integrimit Evropian. Rreth marrëdhënieve me Shqipërinë, ekziston një referencë e shkurtër për mekanizmat e përbashkët të bashkëpunimit ekonomik dhe politik, përfshirë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.

Sidoqoftë, LVV nuk bëri asnjë referencë në programin e saj për dialogun me Serbinë, e as përpjekjet e Kosovës për të konsoliduar subjektivitetin e saj ndërkombëtar duke zgjeruar lidhjet diplomatike dhe antarësimin në organizatat ndërkombëtare. Në thelb, programi elektoral i LVV-së përshkroi një politikë të jashtme të pozicionuar mirë dhe minimale. Për ta ndihmuar këtë, kjo është një listë e dëshirave për atë që duhet të përfshijë një politikë e jashtme aktive, inovative dhe parimore.

 E para dhe më e rëndësishmja, politika e ardhshme e Qeverisë së Kosovës për punët e jashtme duhet t’i mundësojë vendit që të fillojë të veprojë si një shtet sovran dhe i pavarur. Kjo nënkupton ndryshimin e marrëdhënieve mbikqyrëse dhe vasale që Kosova ka zhvilluar ndaj partnerëve dhe aleatëve të saj perëndimorë dhe ndjekjen e një politike të jashtme shumëdimensionale.

Në fund të fundit, kur shtetet e njohën Kosovën, ato e njohën atë si një shtet sovran dhe të pavarur dhe jo si një shtrirje territoriale e fuqive të mëdha ose forcave të tjera rajonale. Tani është koha e përshtatshme për të zhvilluar një politikë të jashtme të veçantë dhe të favorshme, e cila pasqyron interesat dhe vlerat e vet Kosovës.

E dyta: Mund të parashikohet që marrëdhënia e Kosovës me Shqipërinë mund të thellohet në vitet e ardhshme, pasi duket se sa më e izoluar është Kosova ndërkombëtarisht, aq më e lartë është dëshira për një lloj bashkimi neofunksionalist. Sidoqoftë, ashtu sikurse me shtetet tjera, bashkëpunimi me Shqipërinë duhet të ndiqet në bazë të respektit të ndërsjellë dhe jo të krijojë marrëdhënie hierarkike të reja dhe të pabarabarta midis të dyjave vendeve.

 E treta: Sa i përket Serbisë, qeveria e ardhshme nuk duhet ta kundërshtojë tërësisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo qeveri duhet të këmbëngul, siç ka premtuar, ta ndjekë të njëjtin plan të detajuar dhe bazuar, të strukturuar dhe transparent i cili promovon dhe mbron interesat jetike të Kosovës dhe adreson shumë prej trashëgimive të pazgjidhura nga e kaluara të cilat deri më tani janë injoruar nga BE-ja dhe të tjerët përfaqësues.

 Kosova duhet të kërkojë njohjen nga Serbia, por nuk duhet të fiksohet në të. Kosova duhet të kërkojë nga Serbia respekt, sjellje jo-agresive dhe mungesë të ndërhyrjes në punët e brendshme të Kosovës. Ajo gjithashtu duhet të kërkojë respekt për pakicën etnike shqiptare në Luginën e Preshevës, të drejtat e të cilave shkelen në mënyrë sistematike nga Beogradi.

Në fund të fundit, njohja e ndërsjellë duhet të jetë një nënprodukt i bisedimeve parimore dhe konstruktive për të zgjidhur çështje të pazgjidhura, të cilat aktualisht mbeten të paarritshme për shkak të qëllimeve të kundërta.

Qeveria e ardhshme e Kosovës po ashtu duhet të vazhdojë në ndjekjen e marrëdhënieve reciproke ekonomike dhe tregtare me Serbinë dhe parimi i reciprocitetit duhet të ndërtohet në të gjitha aspektet e politikës së saj të re sovrane ndonëse të ndërvarur.

E katërta: Kosova duhet të trajtohet si anëtare e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare dhe jo si një vend për eksperimente ndërkombëtare dhe një pranues i normave pa mbarim që përmbush dëshirën e shteteve të tjera për të qeverisur pafundësisht me të tjerët.

 Këto parime duhet të zbatohen gjithashtu për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Deri më tani, marrëdhënia midis BE-së dhe Kosovës ka qenë njëdrejtimëshe. BE ka drejtuar shfaqjen dhe Kosova ka qenë spektatori. Kjo duhet të ndryshojë.

Për shembull, ekzistojnë arsye të mjaftueshme brenda Kapitullit II të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Kosovës për të zhvilluar një dialog politik për çështje me interes të përbashkët dhe në baza të barabarta. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani, por nuk do të thotë se nuk duhet të përdoret në të ardhmen. 

 Kosova nuk duhet të pranojë edhe më tutje arsyetimet e BE-së për ta vonuar pafundësisht liberalizimin e vizave dhe duhet t’ia bëjë të qartë BE-së se politikat e saj të njëanshme dhe të padrejta ndaj Kosovës nuk janë më të pranueshme.

Nëse BE-ja dëshiron të konsiderohet serioze, ajo duhet ta aplikojë një qëndrim të unifikuar ndaj Kosovës dhe të sigurojë që të gjitha shtetet e saja anëtare ta njohin Kosovën. Përndryshe, tani është koha e duhur për të kërkuar alternativa për anëtarësimin në BE dhe për t’u hapur me mundësi të tjera që para së gjithash ruajnë dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës dhe nuk lejojnë që ato të trajtohen si tepricë rajonale.

 E njëjta gjë është e vërtetë për ShBA. Kosova duhet të këmbëngulë që ShBA-ja të marrë rol udhëheqës dhe të punojë me katër vendet e mbetura anëtare të NATO-s për të ndryshuar pozicionin e tyre ndaj Kosovës dhe të pranojnë Kosovën si një shtet të pavarur dhe anëtar të ardhshëm të NATO-s, si dhe të lobojë në BE në emër të Kosovës për liberalizim vizash.

Në rast se Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s, të cilën Administrata e Bidenit mund t’ia sigurojë nëse dëshiron, atëherë kjo do të ishte një ndërrim loje për përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe për politikat përçarëse të Kinës në rajon. Kosova madje mund të jetojë pa anëtarësimin në OKB për një kohë.

Përtej partnerëve të saj ekzistues, Kosova duhet gjithashtu të zhvillojë një politikë të jashtme të mirë dhe të kultivojë bashkëpunimin dypalësh me vendet e tjera jo-perëndimore që e kanë njohur Kosovën. Ajo duhet të themelojë një agjenci për bashkëpunim ndërkombëtar dhe të mirëmbajë marrëdhënie me vendet në Afrikë, Amerikën Latine, Azi, Lindjen e Mesme dhe në Paqësor përmes asistencës humanitare jo-financiare, zhvillimit dhe bashkëpunimit.

Kjo do t’i ruante njohjet ekzistuese diplomatike dhe do t’i parandalonte ç’njohjet që kanë ndodhur në tri vitet e fundit, si dhe do të ndihmonte në përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

 Në rast se qeveria e Kurtit arrin sukses në përmbushjen e dëshirave të listuara këtu, ajo jo vetëm që do ta arrijë vetëvendosjen e brendshme, por gjithashtu do ta realizojë vetëvendosjen e jashtme dhe do të plotësojë dy shtyllat jetike të një shtetësie sovrane dhe të pavarur.

Artikulli është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Dr Gëzim Visoka është profesor i asociuar për studime të paqës dhe konflikteve në Universitetin e Qytetit të Dublinit, Irlandë. Ai është redaktori kryesor i ’Manualit Routledge të Njohjes së Shteteve’ (Routledge Handbook of State Recognition) si dhe autor i librit të ardhshëm “Çnjohja e Shteteve” (The Derecognition of States) nën kontratë për t’u botuar me University of Michigan Press.