E akuzuara: Shkova në Siri se nuk doja t’i lë fëmijët vetëm me burrin

Edonë Berisha e akuzuar për pjesëmarrje në grupet terroriste, e ka pranuar fajin sot në Gjykatën e Prishtinës.

Berisha para gjykatës deklaroi se qëllimi i saj ishte që të shkojë pas fëmijëve të saj pasi që burri i saj i ndjerë Burim Demolli i cili  kishte shkuar më përpara atje, kishte kërkuar që fëmijët t’i ketë pranë vetes.

Ajo tha se shkoi për arsyen e vetme që fëmijët mos t’i lë vetëm pranë burrit.

E akuzuara shtoi se qëllimi i saj kishte qenë që të kthehet në Kosovë edhe përkundër tentativës, e njëjta tha se kishin rënë në duar të ISIS-it, deri sa i kanë kthyer forcat kurde.

Aktakuza shpjegon se Edonë Berisha me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e ISIS,në atë mënyrë që i është bashkangjitur ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj si dhe qëllimin që duke luftuar padrejtësisht, të detyrojnë qeverinë siriane e pastaj edhe qeveritë e shteteve të tjera që të lënë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturën kushtetuese ekonomike dhe sociale dhe të krijojnë shtetin islamik Iraku dhe Levant.

Më tutje aktakuza shpjegon se, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës ka vendosur dhe ka shkuar në Siri, që t’i bashkëngjitet luftës për shtetin islamik edhe pse e ka ditur se veprimi i tij është kundërligjor.

Prokuroria shpjegon se me datën 26.8.2014, e akuzuara së bashku me 4 fëmijët niset nga shtëpia e saj me një veturë që i ka dërguar deri në pikën kufitare te Hani i Elezit e nga aty me taksi kanë shkuar në aeroportin e Shkupit, e pastaj nga aeroporti i Shkupit me aeroplan për në Turqi dhe pastaj për në Siri, ku edhe është regjistruar pjesëtare e grupit terrorist ISIS.

Aktakuza thotë se e njëjta duke e përdorur shumën mujore të të hollave nga ISIS i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit Burimit, i cili aktivisht ka luftuar e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të shtetit islamik brenda Sirisë, deri sa është dorëzuar te forcat kurde në kampin Roi, e pastaj nga aty me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë depërtuar në Kosovë me datën 22.4.2019.

Më këtë prokuroria po e ngarkon se ka kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 janar në ora 9:20.