E akuzuara Resmije Bytyqi deklarohet pë rastin e vrasjes së burrit të saj, Abedin Bytyqit - Foto: KALLXO.com

E akuzuara për shtytje të vrasjes së burrit të saj flet për herë të parë në Gjykatë për rastin

Resmije Bytyqi, e akuzuar për shtytje të vrasjes së bashkëshortit të saj, Abedin Bytyqit, ka folur sot në Gjykatën e Prizrenit lidhur me ngjarjen e cila kishte ndodhur më 6 tetor të vitit 2016 në fshatin Peqan të Suharekës.

Përpara trupit gjykues, Resmije Bytyqi fillimisht i shprehu keqardhje familjes së burrit të saj për atë që ka ndodhur.

Ajo theksoi se ishte e lënduar në mënyrë psikike, moralisht e ekonomikisht, andaj kërkoi që të zbardhet e vërteta e këtij rasti.

“Jam e gatshme të përgjigjem në të gjitha pyetjet e parashtruara dhe kërkoj nga Gjykata që të zbardhet e vërteta sa më shpejt”, tha Resmije Bytyqi.

Në mënyrë të qetë, ajo iu përgjigj pyetjeve të avokatit të saj, Durim Nevzatit, ndonëse e njëjta më 24 mars 2019 ishte mbrojtur në heshtje.

Resmije Bytyqi nuk e thotë asnjë fjalë në gjykimin për vrasjen e burrit të saj

Lidhur me raportet e saj me burrin, Abedinin, e akuzuara rrëfeu  se kishte pasur raporte shumë të mira me të, madje ai e kishte ndihmuar shumë rreth punëve dhe lokalit ku ajo punonte.

“Asnjëherë gjatë martesës nuk kam pasur probleme, maltretime fizike apo të tjera”, shtoi ajo.

Bytyqi mohoi t’i kishte takuar më parë të akuzuarit Murat e Reshat Ademi ndërsa për Fadil Fetiun deklaroi se nuk e ka njohur para ngjarjes. Mirëpo, sipas saj, Reshat Ademi disa ditë para vrasjes kishte shkuar te lokali i saj duke pyetur për Abedinin.

“Reshati ka qenë i interesuar për çështjen e Abedinit. Ai non-stop më ka thënë: Pyete Naimin se ku është Abedini, se ai e ka shok dhe mund ta dijë se ku është”, deklaroi e akuzuara.

Megjithëse ajo tha se Murat e Reshat Ademi kishin pasur raporte shumë të mira me të ndjerin, Reshat Ademi kishte shkuar te shtëpia e babait të saj dhe kishte folur fjalë të këqija për Abedinin duke thënë se ai ka qenë i pasjellshëm.

Ndërsa, lidhur me ditën kritike, e akuzuara tha se atë ditë kishte provuar të kontaktonte me burrin e saj, por nuk kishte arritur pasi ai nuk ka pasur qasje në telefon. Tutje, ajo tha se ishte kthyer në banesë ku kishte kuptuar se ende nuk ishte kthyer Abedini.

Të nesërmen, sipas të akuzuarës, së bashku me Naim Grulajn, shoku i ngushtë i Abedinit, kishte shkuar për ta kërkuar Abedinin dhe më pas rastin e kishin paraqitur në Polici.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre dhe do të vazhdojë më 15 nëntor.

Ndryshe, Prokuroria e Prizrenit akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta në mënyrë mizore të ndjerin Abedin Bytyqi kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk mund ta kryejnë vrasjen ajo do ta angazhonte dikë tjetër.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku Abedin Bytyqi po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer atë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e  Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata i shqiptoi 20 vite burgim, të akuzuarit Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale Gjykata i shqiptoi 12 vite burgim. Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Prizrenit nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.