E akuzoi për uzurpim të tokës publike, asamblisti i LDK-së paralajmëron padi për drejtorin komunal në Suharekë

Visar Kuçi, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Suharekës ka akuzuar asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Selman Kolgeci gjatë debatit “Jeta në Komunë” se ka uzurpuar tokë publike.

Por, Kolegci ka paralajmëruar se do ta padis për shpifje drejtorin komunal.

“Asamblisti është duke bërë politikë që disa herë. Unë më mirë ia kisha bë një pyetje asamblistit, kur do me liru pronën publike ti me shtëpi tënde për shkak se nuk po mund ta legalizosh shtëpinë, mbi 50 vite e ke të uzurpuar pronën publike” – ka deklaruar Kuçi.

Në anën tjetër, asamblisti i LDK-së, deklarimet e drejtorit komunal i ka quajtur shpifje. Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka paralajmëruar edhe një padi ndaj Visar Kuçit.

“Të dashur qytetarë j’u njoftoj që i kam realizuar diskutimet fillestare me avokatin tim në lidhje me shpifjet që i ka bërë drejtori i urbanizmit kundrejt meje, po ashtu, kam angazhuar edhe një ekspert të licencuar të gjeodezisë në mënyrë që ta sqarojë sa më mirë këtë shpifje të tije” – ka thënë Kolgeci.

“Gjithashtu më lejoni të iu them se nëse mendoni që në këtë mënyrë të poshtër mund të më ndaloni të bëj punën time që qytetarët tanë ma kanë besuar, e keni shumë gabim, njëjtë si që keni qenë gabim që nga fillimi i mandatit tim si asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shihemi në gjyq!” – thuhet në reagim.

Debati mbi performancën komunale të Komunës së Suharekës u transmetua më 17.11.2024.