
Personi i kërkuar nga policia. Foto: Policia e Kosovës.
Dyshohet se vodhi para në xhami, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e të dyshuarit
Polica po kërkohen ndihmë nga qytetarët dhe mediat për identifikimin e një personi, i cili dyshohet për vjedhjen e një shumë të parave në një xhami në Rahovec.
Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit për identifikimin e tij me qëllim të zbatimit sa më efektiv të procedurës penale dhe atë në drejtim të veprës penale – vjedhje e rëndë.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në një xhami në qytetin e Rahovecit më 07.12.2024, kur i dyshuari ka hyrë në objektin fetar dhe duke përdorur mjete të forta dyshohet se ka vjedhur paratë që ishin në arkën e objektit fetar, para të cilat, siç thuhet në njoftimin e Policisë, besimtarët i kishin lënë në baza vullnetare.
“Hetimet intensive të zhvilluara deri më tani nga Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec, në bashkëpunim me njësitë tjera policore, nuk kanë rezultuar ende në gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme hetimore dhe operative”.
Policia fton qytetarët se nëse kanë ndonjë informacion mbi identitetin apo vendndodhjen e të dyshuarit të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt policor, apo në numrat; 192 (pa pagesë) ose 0390 310 482.
Policia thotë se çdo informacion i ofruar që do të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.