Foto: KALLXO.com Ilustrim

Dyshohet se vodhi në qendër tregtare, arrestohet 24-vjeçari në Ferizaj

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka vjedhur disa gjëra në një qendër tregtare.

Policia në një komunikatë për media bën të ditur, se sot në orën 15:10 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në një qendër tregtare në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj është një rast në proces i vjedhjes.

“Në lidhje me këtë policët e rendit dhe policët hetues, menjëherë i kanë marrë veprimet e nevojshme, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin me inicialet E.D. i moshës 24-vjeçar, i cili kishte vjedhur disa gjëra brenda qendrës tregtare dhe në tentim për t’i ikur personelit të sigurimit, pak metra më larg qendrës tregtare, ndalohet dhe arrestohet nga policia”- thuhet në njoftim.

Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Vjedhje”, bën të ditur Policia.