Ilustrim

Dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj një të riu, suspendohet polici

Një zyrtar policor është suspenduar nga detyra orët e mbrëmjes së sotme nën dyshimet se ka ushtruar dhunë ndaj një të riu.

Lajmin e për suspendimin e ka konfirmuar për KALLXO.com Komandanti i Stacionit Policor në Mitrovicë, Major Ahmet Xhosha.

“Ajo cka mund të ju konfirmoj është se rreth orës 22:10 kemi marrë vendimin nga Inspektorati Policor i Kosovës për suspendim për 48 orë. Rasti siç dyshohet ka ndodhur orët e hershme të mëngjesit”, tha Xhosha për KALLXO.com.

Xhosha nuk dha detaje më shumë se çka saktësisht ka ndodhur për shkak se tregoi se tani janë Inspektorati Policor i Kosovës që janë duke e hetuar ngjarjen.

Në anën tjetër, KALLXO.com mëson se një i ri ka marrë lëndime në kokë por ende nuk është bërë e qartë se si ka ndodhur ngjarja. Dyshimet janë se polici ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, ndërsa i riu ka marrë lëndime në kokë dhe ka marrë trajtim mjekësor.

Gjithashtu KALLXO.com mëson se i riu i lënduar është djali i një rreshteri në po të njëjtin stacion të policisë.

Tutje burimet e KALLXO.com thonë se IPK gjatë ditës së sotme është marrë me rastin dhe po vazhdojnë të hetojnë se çka saktësisht ka ndodhur mes zyrtarit policor dhe të riut.