Dyshohet se u rrëzua nga djepi, vdes foshnja 2-vjeçare në Podujevë

Asfiksia dyshohet të ketë qenë shkaku i vdekjes së një fëmije rreth 2-vjeç në Podujevë, të mërkurën, më 28.08.2024.

Shefi i Emergjencës në këtë komunë, Arben Beqiri ka thënë për KALLXO.com se fëmija është trajtuar në QMF-në në LLuzhan.

“Dje rreth orës 15:20 kemi marrë informacion se një foshnje si pasojë e asfiksisë ka qenë e vdekur në djep. Na kemi shku menjëherë, ata (të QMF-së në LLuzhan), e kanë trajtuar menjëherë, se është ambulanca më e afërt prej shtëpisë së tyre. Kur kemi shkuar e kemi vërejtur një fëmijë pa shenja jete që sipas dyshimeve ka ardhur si pasojë e lulakut, ka ardh deri tek asfiksia, nxanja e frymës”, – ka thënë Beqiri, përderisa ka shtuar se sipas familjarëve fëmija është rrëzuar me djep.

“Është rrëzuar djepi edhe ka ardh deri tek vdekja fëmija e gjinisë femërorë ka qenë afër 2-vjeçare. Nëna e fëmijës ka qenë me të, ka thënë se ka qenë në djep lidhur, dhe e ka pa që djepi është rrotulluar së bashku me fëmijën në të. Po mendohet se lulaku i ka shkuar deri tek fyti dhe ia ka zënë frymën, ai ka ardh pa shenja jetë në ambulantë, ne jemi munduar po s’kemi mundur të bëjmë diçka”, – ka thënë tutje Beqiri.

Policia e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se është duke e hetuar rastin dhe se me vendim të prokurorit, , trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Një foshnje vdes në rrethana të dyshimta në Podujevë