Ilustrim

Dyshohet se u përfshi në një rrahje në Gjakovë, arrestohet një zyrtar policor

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur ka arrestuar një pjesëtar të policisë nga stafi civil të dyshuar për përfshirje në një rrahje në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë.

IPK ka bërë të ditur se në kohën kur ka ndodhur incidenti, pjesëtari i policisë (zyrtar i stafit civil) ishte  jashtë detyrës zyrtare.

Për të njëjtin rast, bashkë me zyrtarin e policisë është arrestuar edhe një qytetar tjetër.

Sipas njoftimit të IPK-së, arrestimi i të dyshuarve është bërë bazuar në autorizimet ligjore dhe pasi që informacionet ishin se në këtë rast ishte i përfshirë si i dyshuar edhe zyrtari i policisë.

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (zyrtarin e stafit civil dhe një qytetar) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” – thuhet në njoftimin e IPK-së .

Sipas IPK-së, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë,  kurse  pjesëtari i policisë (stafit civil) është suspenduar.

IPK thotë se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.