Dyshohet se tentuan ta lironin përkohësisht një të arrestuar, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet e tyre.
Sipas informacioneve fillestare, IPK ka thënë se zyrtarët policorë dyshohet se kanë tentuar të lirojnë përkohësisht një të dyshuar për armëmbajtje pa leje, i cili ishte arrestuar nga policia në Pejë dhe ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor të Pejës.
Sipas një komunikate për media, hetuesit e IPK-sv menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit.
Tutje u tha se në kuadër të hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për dy zyrtarët policorë të dyshuar në këtë rast.
IPK tha se në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.