Dyshohet se sulmuan të dyshuarin për vdekjen e 35 vjeçares në Malishevë, arrestohen tre persona
Tre persona jane arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj stomatologut Xhavit Karaxha, ngjarje kjo e cila u regjistrua gjatë datës 31.07.2024 në Malishevë.
Dyshimet janë se babai, ish-bashkëshorti dhe një tjetër familjar i 35 vjeçares që kishte dyshohet se vdekur pas intervenimit në ordinancën e stomatologut Karaxha, janë të përfshirë në rrahjen e doktorit.
Kështu të paktën tha avokati i doktorit Karaxha, Besnik Berisha në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com.
“Ka ndodhë një sulm, sipas familjes një rrahje e organizuar, nga prindi, ish-bashkëshorti i tani të ndjerës dhe dikush i tyre. Rrahja ka qenë brutale sipas familjarëve, një pritë e organizuar në një restaurant afër në Malishevë”- tha avokati Berisha.
Ai shtoi se në bazë të deklarimeve të familjes, Karaxha ka qenë nën shoqërinë e nënës së tij dhe se kjo e fundit ishte sulmuar nga të njëjtit persona.
“Por që di që dje kur ka ndodhë sulmi ka qenë duke marrë ndihmë mjekësore në emergjencën e Malishevës dhe më ka thënë që për shkak të lëndimeve do ta përcjellim në Prishtinë. Nuk kam dijeni për më shumë as për identitetin e as kush është ndalu ose arrestu dikush”- tha tutje Berisha.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se tashmë për këtë ngjarje janë arrestuar tre persona, ndërsa rasti është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar dhe nënën e tij, duke u shkaktuar lëndime trupore. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftimin e datës 01.08.2024 të Policisë së Kosovës.
Një 35-vjeçare dyshohet se vdiq pas një trajtimi të pandërgjegjshëm mjekësor që mori në klinikën “Doktorat”, në Malishevë në gusht të vitit 2023.
Aty, viktima mori shërbime stomatologjike, e asaj më pas iu përkeqësua gjendja dhe ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku edhe vdes.
Në lidhje me rastin në atë kohë ishin arrestuar dy persona.
I pandehuri Xhavit Karaxha dhe e pandehura H. K. po dyshoheshin për disa vepra penale.
KALLXO.com kishte raportuar edhe për vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ndaj doktorit.
Gjykata e Gjakovës ndaj Xhavit Karaxhës kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa ndaj të pandehurës një muaj arrest shtëpiak.
Në vendimin e Gjykatës ishte thënë se e pandehura ka të kryer shkollimin fillor dhe se me profesion ishte rrobaqepëse, ndonëse ajo është e regjistruar si pronare e biznesit.
“Sipas kërkesës për të pandehurën H. K., më datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillor, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës – i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh.” – thuhej në vendim.
Tutje është thënë se nga koha e pacaktuar e deri më 22 gusht 2023, me dashje dhe pa autorizim e pandehura ka falsifikuar dokumentin në emër të një institucionit tjetër dhe në atë të QKMF-së në Malishevë.
E pandehura dyshohet se si pronare e biznesit “Doktorat”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe studentë si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës.
H. K. me këto veprime dyshohet se ka kryer dy vepra penale – ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Në anën tjetër Xhavit Karaxha dyshohet se ka kryer dy vepra penale të tjera – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore.
Në vendimin e Gjykatës është thënë se i pandehuri Xhavit Karaxha më 22 gusht 2023, në ordinancën “Doktorat” në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor përdor metoda të papërshtatshme të mjekimit.
Viktima është thënë se ka shkuar në ordinancën e cekur më lart për ta hequr një dhëmb, ndërsa aty i pandehuri dyshohet se ka përdorur medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dalë pacientja në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja dhe e humb vetëdijen.
Ajo është thënë se me të shpejtë është dërguar në QKMF në Malishevë, e ku me pas ka vdekur.
Në vendim thuhet se i pandehuri po ashtu pa autorizim ligjor ka kryer trajtime mjekësore stomatologjike, në atë mënyrë që si stomatolog ka ushtruar veprimtarinë mjekësore në ordinancën gjinekologjike, pa autorizim ligjor për zhvillimin e veprimtarisë stomatologjike e ku si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme mjekësore të marrra nga ana e të pandehurit, pas trajtimit mjekësor të dhënë viktimës, ajo vdes.