Foto: Salman Rushdie/ Facebook

Dyshohet se shkrimtari Rushdie u godit disa herë me thikë në fyt dhe gjoks

Shkrimtari Salman Rushdie, u raportua se është sulmuar këtë të premte, pak kohë para se të prezantonte një ligjëratë në New York.

Sipas BBC-së, dyshohet se sulmuesi ka goditur shkrimtarin Rushdie disa herë në pjesën e fytit dhe gjoksit.

Më tej, thuhet se Rushdie u ngrit në këmbë dhe u rrëzua përderisa u përpoq të ikte. Kurse një numër njerëzish i erdhën në ndihmë dhe të tjerë e ndaluan sulmuesin.

Libri i Rushdie “Vargjet Satanike” është ndaluar në Iran që nga viti 1988, pasi shumë myslimanë e konsiderojnë atë si blasfemi. Një vit më vonë, lideri asokohe i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, nxori një dekret, duke bërë thirrje për vdekjen e Rushdie.

Një shpërblim në vlerë prej 3 milionë dollarësh ishte ofruar për vrasjen e shkrimtarit Rushdie.

Rushdie e kishte shpërfillur atë kërcënim duke thënë se “nuk ka prova” që dikush mund të jetë i interesuar në atë shpërblim.

Madje, atë vit Rushdie kishte publikuar një biografi “Joseph Anton”, për atë dekret.