Ilustrim

Dyshohet se rrëmbeu një 19-vjeçare, arrestohet 23-vjeçari në Ferizaj

Policia në Ferizaj ka arrestuar një person, GJ.H i moshës 23-vjeçare, nën dyshimin se e ka rrëmbyer një 19-vjeçare në Fushë Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë, ata kanë pranuar informatën me telefon nga 19-vjeçarja më 25.05.2024, rreth orës 09:35, se ishte në një pikë karburanti në fshatin Bibaj të Ferizajt, dhe se e kishte sjellë i dyshuari me një veturë dhe ishin ndaluar aty.

Policia njofton se dyshohet se rrëmbimi ka ndodhur me forcë në Fushë Kosovë rreth orës 08:00, nga i dyshuari GJ.H.

Pas pranimit të informatës rreth vendndodhjes së 19-vjeçares, ekipet e Policisë kanë hasur në të dyshuarin dhe e kanë arrestuar atë.

“Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Bibaj dhe aty kanë hasur të dyshuarin GJ.H, i cili ishte jashtë në oborr të pikës së karburantit, duke e pritur viktimin femër të dalë jashtë. I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, gjithashtu në stacionin e policisë është sjellur edhe viktima femër” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 25.05.2024.

Me këtë rast, Policia në Ferizaj ka bashkëpunuar me policët e stacionit në Fushë Kosovë, duke i dërguar të dyshuarin dhe viktimën për procedura të intervistimit dhe hetimit atje. Kjo pasi rasti  i rrëmbimit me forcë dyshohet se ka ndodhur në Fushë Kosovë.