Ilustrim.

Dyshohet se përvetësoi barna në vlerë rreth 50 mijë euro dhe ia shiti një personi tjetër, arrestohet i dyshuari

Që nga shtatori i vitit të kaluar një person dyshohet se ka përvetësuar barna të cilat ia ka shitur një personi. Vlera e përafërt e dëmit llogaritet në rreth 50 mijë euro.

Më këto veprime, personi i dyshuar V.V., 41-vjeçar, dyshohet se ka kryer veprën – keqpërdorim i besimit.

“Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, Policia ka ngritur dyshimin e bazuar se ai dyshohet se që nga shtatori i vitit 2022, duke keqpërdorë besimin, ka përvetësuar një sasi të barnave të cilat më pas i ka shitur te një person tjetër, vlera e përafërt e dëmit të shkaktuar është rreth 50 mijë euro” – ka thënë Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është arrestuar sot nga hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, përderisa edhe rasti ishte paraqitur nga ankuesi sot.

Në anën tjetër Policia ka thënë se tashmë është duke u punuar edhe në kërkim të një personi tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë rast.

Në njoftim është thënë se i dyshuari V.V., me vendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.