I pandehuri Jeton Mehmeti në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë

Dyshohet se përfitoi rreth dy milionë euro përmes mashtrimit, Jeton Mehmeti deklarohet i pafajshëm para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, më 25.10.2024, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar kundër të pandehurit, Jeton Mehmeti, i akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”.

Mehmeti dyshohet se ka përfituar rreth dy milionë euro përmes mashtrimit të 24 qytetarëve. Sipas Prokurorisë i njëjti dyshohet se këtë e ka bërë në periudha të ndryshme, nga viti 2021 e deri në muajin korrik të vitit 2023.

I pandehuri Mehmeti është deklaruar i pafajshëm gjatë seancës.

“Ndihem plotësisht i pafajshëm për veprën penale që akuzohem”- tha ai para gjykatës.

Ky rast po trajtohet nga gjyqtarja Qëndresa Tahiri- Islami, ndërsa prokurore e kësaj çështjeje është Albana Parduzi.

Të pranishëm në seancë, pos të pandehurit Jeton Mehmeti, ishin edhe mbrojtësja e të pandehurit Kada Bunjaku- Përçuku dhe 24 të dëmtuarit: Bajram Hyseni, Nazmi Pllana, Ismet Zeqiri, Jeton Peci, Naim Hoxha, Mensur Musa, Nazmi Maxhuni, Ramush Salihu, Kelmend Salihu, Ilir Kelmendi, Bajram Strana, Sami Muzliukaj, Lavdim Kabashi, Muharrem Bllata, Fidan Zahiti, Nijazi Veseli, Nazmi Feka, Ideal Prokshi, Nistret Bekteshi, Bekim Fejza, Edmond Shala, Liridon Podrimçak, Gazmend Pupovci dhe Faton Elezaj.

Të dëmtuarit: Edmond Shala, Faton Elezaj, Liridon Podrimçak dhe Gazmend Pupovci kanë qenë nën praninë e avokatit të tyre, Urim Pozhegu. Avokat i të dëmtuarit Faton Haziri ka qenë Skënder Gojani, ndërsa avokat i të dëmtuarit Bajram Strana ishte Valdet Kadriu. Të gjithë këta kanë qenë të pranishëm në seancë.

Pasi i pandehuri nuk pranoi fajësinë, gjyqtarja e rastit, Tahiri- Islami tha se i pandehuri ka të drejtë brenda afatit 30 ditësh para shqyrtimit të dytë të paraqes kundërshtimet.

“Kundërshtimet mund t’i paraqesin brenda afatit të lartcekur prej 30 ditësh, kundështimet nëse i paraqesin duhet t’i paraqesin me shkrim në kopje të mjaftueshme për gjykatën dhe për palët, t’i dorëzojnë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë në zyrën për pranimin e shkresave numër 2, nëse palët paraqesin kundërshtime atëherë për këto kundërshtime gjykata do të vendosë jashtë seancës, e palët do të njoftohen me vendim të gjykatës”- tha gjyqtarja.

Pas deklaratën të të pandehurit Jeton Mehmeti, meqënëse se palët nuk kishin propozime të tjera Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur të përfunduar këtë seancë të shqyrtimit fillestar në orën 10:48. E njejta filloi në orën 10.00.

Cka thuhet në aktakuzë?

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se që nga viti 2021 e deri në vitin 2023 i pandehuri me dashje, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i ka vënë në lajthim të dëmtuarit dhe me këtë i ka nxitur ta kryjnë një veprim i cili rezulton me dëm material të pasurisë së tyre, në mënyrë që gjersa ishte në pozitën e distributorit të shitjes me pakicë për Tobakos SH.P.K me seli në Prishtinë, i ka vënë në lajthim duke iu kërkuar para me qëllim të shitjes së duhanit- trocadero dhe për këtë në të ardhmen do të merrnin bonuse.

Me këtë rast, sipas aktakuzës:

-të dëmtuarit Bajram Hyseni i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 31,600.00 euro,

-të dëmtuarit Nazmi Pllana i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 34,200.00 euro,

-të dëmtuarit Ismet Zeqiri i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 9,850.00 euro,

-të dëmtuarit Jeton Peci i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 150,000.00 euro,

-të dëmtuarit Naim Hoxha i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 78,000.00 euro,

-të dëmtuarit Mensur Musa Hoxha i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 200,000.00 euro,

-të dëmtuarit Nazmi Maxhuni i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 182,000.00 euro,

-të dëmtuarit Ramush Saliku i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 38,500.00 euro,

-të dëmtuarit Ilir Kelmendi i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 14.500.00 euro,

-të dëmtuarit Bajram Strana i i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 630,000.00 euro,

-të dëmtuarit Lavdim Kabashi i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 23,020.00 euro,

-të dëmtuarve Muhamet Bllata dhe Fidan Zahiti u ka shkaktuar dëm material në shumën prej 240,000.00 euro,

-të dëmtuarit Nijazi Veseli i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 100,000.00 euro,

-të dëmtuarit Nazmi Feka i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 40,000.00 euro,

-të dëmtuarit Ideal Prokshi i i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 11,500.00 euro,

-të dëmtuarit Nistret Bekteshi i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 100,000.00 euro,

-të dëmtuarit Bekim Fejza i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 55,500.00 euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Jeton Mehmeti e ka vënë në lajthim edhe të dëmtuarin Kelmend Salihu duke i kërkuar para me qëllim të shitjes së duhanit – Trokader, duke i thënë se i duhen paratë për të blerë mall dhe për ta dërguar në Kazakistan, me ç’rast i dëmtuari do të fitonte para si ndërmjetësues. Dëmi i shkaktuar për të njëjtin pretendohet se arrin shumën prej 295,000.00 euro.

Ndërsa i dëmtuari Sami Muzlikukaj, në dosje thuhet se u vu në lajthim duke iu kërkuar para në shumën prej 40,000.00 euro me qëllim të blerjes së mallit për firmë. I dëmturi i kishte dhënë paratë në shumën prej 35,000.00 euro dhe që nga ajo kohë i pandehuri nuk iu ka lajmëruar. Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 35,000.00 eurosh.

Ndërsa të dëmtuarit Edmond Shala, Liridon Podrimqak, Gazmend Pupovci dhe Faton Elezaj i pandehuri Jeton Mehmeti thuhet se i ka vënë në lajthim duke u kërkuar para me qëllim të investimit dhe me këtë rast të bëhen aksionar në Trokadero.

Kjo, sipas dosjes së Prokurorisë, i ka shkaktuar Edmond Shalës dëm material në shumën prej 40,000.00 euro, Liridon Podrimqakut i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 70,400.00 euro, Gazmend Popovcit 76,000.00 dhe Faton Elezajt i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 48,000.00 euro.