Dyshohet se përdorën forcë ndaj një qytetari, IPK rekomandon suspendimin e 6 policëve në Ferizaj

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e gjashtë policëve në Ferizaj.

Kjo ka ndodhur pasi që një qytetar është ankuar në Departamentin e Hetimeve se policët kanë tejkaluar autorizimet policore duke përdorur forcën.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e hershme të mëngjesit, kur Policia ka ndaluar qytetarin si të dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj 6 zyrtarëve policorë, IPK ka bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre” – ka njoftuar IPK përmes një komunikate.

Për të sqaruar rrethanat e incidentit, Inspektorati thotë se hetuesit e tij pritet të ndërmarrin veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.