Dyshohet se për pronë u rrah nga kushëriri i tij

Avdush Emërllahu, nga fshati Verban i Vitisë pretendon së është sulmuar fizikisht nga kushëriri i tij, Elbasan Emërllahu.

Ai thotë se më datë 13 prill 2022 është sulmuar me një shkop ku edhe ka pësuar lëndime në kokë.

“Jam rrah prej një kushërini tim i cili që shumë kohë ka filluar urrejtjen ndaj meje, i cili nxit edhe njerëz tjerë për urrejtje, shpifje, kur jam me familjen më sulmon. Kjo punë nuk është që me ngacmon vetëm tash, kjo punë i ka katër vjet, janë të njoftuar edhe policia, këshilli i fshatit, kryetari i fshatit”, ka thënë Avdush Emërllahu për KALLXO.com.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që ai sulmohet nga personi i njëjtë, ndërsa thotë se arsyeja pse është sulmuar ketë herë, ka të bëj me çështje pronësore.

“Kjo e fundit është për shkak se ka shku në pronën time, ka qel një rrugë, ka pre zabelin (pyllin) dhe ka ardhë babai i tij më ka sulmuar njëherë dhe pastaj pas dy dite ky përsëri”, ka thënë ai.

Avdush Emërllahu tutje thotë se këto raste i ka lajmëruar në Polici por asnjëherë nuk është ndërmarrë diçka ndaj këtij personi.

“Këto raste i kam pasur të lajmëruar disa herë në polici, të gjitha këto raste i kam lajmëruar në polici por ata nuk kanë ndërmarrë asgjë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka provuar t`ua shes pronën kushërirëve por të njëjtit nuk kanë pranuar.

“Shkurt shqip ata edhe t`u këqyr me m‘largu prej aty me dhunë, unë ju kam thënë po jua shes dhe po largona, ata s’dojnë edhe me pagu. Kam oborrin me gjithë vëllanë, ata së pari kanë fillu me vëllain me i bë këto gjëra, kemi pas probleme që kanë qenë në polici edhe të mëhershme. Çështja është veç ta ngacmojmë, ta detyrojmë patjetër, mos t`i lëmë vend këtu, të bëjmë çmos që t’jua gërditim jetën këtu”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me këtë rast.

Sipas Policisë, Elbasan Emërllahu është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

“Njësiti i hetimeve e ka arrestuar të dyshuarin dhe pas procedurave ligjore i njëjti është ndal në mbajtje, për rastin “lëndim i lehtë trupor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjilanit për KALLXO.com.

Tutje, lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan më 14 prill 2022 ka pranuar kallëzimin penal, kundër të pandehurit Elbasan Emërllahu në drejtim të veprës penale, “Lëndim i lehtë trupor”.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kundër të pandehurit Elbasan Emërllahu.

Bazuar në aktakuzë, rasti ka ndodhur në parkingun e një lokali në fshatin Verban të Vitisë.

“I pandehuri tek parkingu i një lokali në fshatin Verban, deri sa ishte duke i vendosur gjërat në veturë, takohet me të dëmtuarin, i cili gjithashtu ishte me veturë, nga ku e nxjerr i pandehuri e godet me grushte në fytyrë me pas më një shkop druri të cilin e gjen në tokë, e godet në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar fillimisht në QKMF në Viti e pastaj në Emergjencës e Spitalit në Gjilan”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, më datë 15 Prill, prokuroria në Gjilan ka marrë aktvendim për zhvillimin e hetimit kundër të pandehurit dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Por, po në atë datë, kërkesa për paraburgim është refuzuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ndërsa është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

“Gjykata Themelore në Gjilan ndaj të njëjtit ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak me kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në vendimin e themelores të siguruar nga KALLXO.com.

Më 21 prill, Elbasan Emërllahut i është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak, pasi rasti është dërguar në Gjykatën e Apelit nga avokati i tij.

Prej 21 prillit, i njëjti është liruar për t`u mbrojtur në liri.

“Gjykata e Apelit në Prishtinë më datë 21 prill, me aprovimin e ankesës së avokatit Fatos Pira (mbrojtësit të të pandehurit Elbasan Emërllahu), ka marrë aktvendim sipas të cilit të pandehurit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak që nga data e vendimit dhe i njëjti lëshohet menjëherë për t`u mbrojtur në liri”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Fatos Pira, i cili ka thënë se për këtë rast ka qenë i angazhuar në detyrë zyrtare nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

“Ju njoftoj se për rastin të cilin më keni shkruar kam qenë i angazhuar ex-officio (sipas detyrës zyrtare) nga ana e OAK-së dhe detyra zyrtare imja ka përfunduar me marrjen e vendimit nga shkalla e dytë”, thuhet të përgjigjen e Piras për KALLXO.com.

KALLXO.com ka takuar Elbasan Emërllahun, dhe i njëjti nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me rastin.

Prokuroria ka kërkuar të mbahet masa e shqyrtimit gjyqësor publik në të cilin janë ftuar prokurori i shtetit, i pandehuri, i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, dhe dy dëshmitarë, njëri nga ta zyrtar policor.

Bazuar në aktakuzë, prokuroria lidhur me rastin ka kërkuar konstatimin e ekspertit mjeko-ligjor për kualifikimin e lëndimeve trupore.

“Është konstatuar se i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore, me pasojë të përkohshme për shëndetin”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, në konstatimin e prokurorisë, thuhet se i pandehuri e ka pranuar pjesërisht veprën penale e cila i vihet në barrë dhe i njëjti ka theksuar që këtë veprim e ka marrë në vetëmbrojtje, dhe thuhet që mbrojta e tij është e paqëndrueshme.