Foto nga vendi i ngjarjes

Dyshohet se manipuloi me prova në ngjarjen e rëndë në ‘Aktash’, 30 ditë paraburgim

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar 30 ditë paraburgim Vesel Bunjakut, si i dyshuar se ka manipuluar me provat në ngjarjen e rëndë që ndodhi më 01.09.2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës së Prishtinës.

Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 01.09.2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohen reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimet me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku kishte marrë dy armë.

Tutje sipas dosjes së prokurorisë ato dy armë dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqës revole me ngjyrë të zezë dhe tjetra dyshohet te jetë e të pandehurit Fatos Abazi me ngjyrë të bardhë.

Sipas dosjes së prokurorisë i dyshuari Vesel Bunjaku me ç’rast shkon në terrasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36 ku në duar nuk kishte më asgjë.

Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë, me datë dhe vend të përshkruar si më lartë i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilën armë e janë përdorur si mjete për kryerjen e veprave penale.

Për shkak të veprimeve të lartpërmendura Vesel Bunjaku, dyshohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gjykata e Prishtinës më 03.09.2024 kishte caktuar 30 ditë paraburgim për Korab Gashin, Valdrin Ademin, Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 01.09.2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 01.09.2024 rreth orës 22:04 në kafiterinë “From” dhe jashtë saj, në rrugën “Gazmend Zajmi”, në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuar në mes të tani të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa, përkatësisht familjeve Gashi dhe Sekiraqa nga Prishtina, me qëllim të qërimit të hesapeve mes tyre, “fillimisht i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi të maskuar, të pajisur me armë zjarri pa leje në bashkëkryerje dhe me qëllimin që të privojnë nga jeta tani të pandehurin Salih Sekiraqa, djalin e tij të mitur Sh.S. dhe të pandehurin Faton Abazi, hyjnë në lokalin-kafiterinë ‘From’, ku kishte pasur edhe persona të tjerë brenda”.

Dosja e Prokurorisë më tej shpjegon se me breshëri nga armë të gjata gjuajnë në drejtim të të pandehurit Salih Sekiraqa, djalit të mitur Sh.S. dhe të pandehurit Faton Abazi e më pas i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi, pasi veprojnë si në mënyrën e lartcekur fillojnë tërheqjen nga brenda lokalit-kafiterisë, në rrugën “Gazmend Zajmi” ku u bashkohen dhe i pandehuri Valdrin Ademi dhe persona të tjerë të dyshuar të panjohur dhe vazhdojnë përleshjen me të pandehurit Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, atyre u bashkohet edhe i pandehuri Robert Llumnica dhe persona të tjerë të panjohur, me ç’rast të pandehurve Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi dhe Robert Llumnica u shkaktojnë lëndime trupore për çka menjëherë pas arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes dërgohen për tretman mjekësor në QKUK Prishtinë.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, pasi i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi fillojnë të tërhiqen nga lokali-kafiteria “From” të pandehurit Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi, duke mos u përmbajtur pas kalimit të rrezikut dhe pasojave të pësuara, me qëllim të privimit nga jeta të pandehurin Korab Gashin dhe tani të ndjerin Premtim Gashi, nga brendësia e lokalit “From” dhe jashtë tij në vendin ku ka pasur persona të tjerë fillojnë t’i gjuajnë me armët e zjarri pa leje të pandehurin Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi dhe të pandehurin Valdrim Ademi si dhe të pandehurit e tjerë të panjohur që u bashkohen këtyre të fundit, me ç‘rast përleshja e armatosur zhvendoset nga lokali-kafiteria “From” në rrugën “Gazmend Zajmi”.

Tutje dosja e Prokurorisë shpjegon se si pasojë e veprimeve të të pandehurve Salih Sekiraqa, Faton Abazi dhe Valdrin Ademi si dhe të pandehurve të tjerë të panjohur privohet nga jeta tani i ndjeri Premtim Gashi, i cili goditet nga pesë plumba, prej tyre dy në këmbë, një në stomak dhe një kokë.

Ndërsa, më tej sipas dosjes të gjithë të pandehurit Korab Gashi dhe Valdrin Ademi pësojnë lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit për çka menjëherë pas arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes dërgohen për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të pandehurit e panjohur dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorik me katër rrota largohen në drejtim të pjesës së epërme të rrugës “Gazmend Zajmi”, dhe të tjerë largohen nga pjesa anësore e epërme e lokalit “From”.