rruga B, Prishtinë

Dyshohet se kërcënoi me armë sigurimin e një lokali në Prishtinë, suspendohet zyrtari policor

Dy ditë më parë, një zyrtar policor është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa dy pjesëtar të sigurimit të një lokali në rrugë “B” në Prishtinë, janë arrestuar pasi që të njëjtit janë përfshirë në një incident mes vete.

E gjitha pretendohet se nisi pasi zyrtari policor F.K., kishte tentuar dy herë të futej brenda një lokali e ishte ndaluar nga sigurimi.

Në një deklaratë për KALLXO.com, N.M., i cili siguron tash e sa muaj një lokal në rrugën “B” në Prishtinë, ka rrëfyer se si kishte ndodhur ngjarja me zyrtarin policor.

“Të mërkurën në mbrëmje ka ora 7 e 30 ka tentu mu fut brenda në lokal, ndërsa ne kemi punu vetëm me rezervime, i kemi kërku nëse ka rezervim. Gjatë bisedës së parë me të, ai na ka thënë mos mu bëj klloshar se nuk ka rezervime këtu. Ai ka rezistu dhe i kemi kërku me u largu, mos me blloku hyrjen”, rrëfen N.M., për KALLXO.com.

Ai tregon se si kishte vijuar ngjarja me zyrtarin policor, derisa shton se në asnjë moment nuk kanë qenë të njoftuar se personi me të cilin po ballafaqoheshin, ishte polic me profesion.

“Ai ka vazhdu deri nalt dhe u kthy prapë, ka hasë në mu, e kam përshëndet dhe e kam pyet për rezervim, ka tregu që nuk ka. Ka fillu me ofendu dhe e kam kapë e kam i kam thënë mos me u sjellë në atë mënyrë. Ai kish ardh qëllimisht me bë telashe, aty ja kam pa armën që e ka, sepse ju hap palltoja. Në ato momente kemi mëndu veç qysh me ja heq armën”, tregon N.M.

N.M., së bashku me kolegun e tij, kanë arritur që ta shtrijnë përtokë personin për shkak të situatës që ishte krijuar.

“As nuk na ka tregu që është zyrtar policor, as kurrgjë. Na jemi mundu me ja heq armën, u shty dy hapa mbrapa e ka nxjerr armën dhe na ka kërcënu”, pretendon ai.

Pjesëtari i sigurimit tregon edhe se në ato momente, në vendngjarje kishin kaluar disa zyrtar policor të cilët edhe kishin kryer arrestimin e personave të përfshirë.

“I jemi drejtu (policit me armë) na vraj, e ka pa që nuk po frikësohemi e ka fut armën në brez. Kur e ka fut armën në brez, kemi shku prapë jemi mundu me ja marrë armën. Nuk e kemi ditë që është polic. Në ato momente, kanë ardh disa polic civil dhe ju kemi thanë se ky person ka armë. E kanë kap policia, e kanë arrestu edhe neve na kanë marr e kemi shku atje e kemi shpjegu krejt rastin. Na e kemi marr vesh në stacion që ai është polic. Të treve na kanë qu në stacion”, vazhdon të rrëfej N.M., deri sa thotë se i njëjti kishte vazhduar t’i kërcënoj.

Rasti është duke u trajtuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës. Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK tregon se rasti ndaj policit është iniciuar si kanosje.

“Hetueset e IPK-së me të pranuar njoftimin kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me Prokurorin kujdestar ku zyrtari policor është intervistuar me dyshimin se ka kryer e veprën penale kanosje”, thuhet në përgjigjet e IPK-së për KALLXO.com.

Ata njoftojnë gjithashtu se kanë rekomanduar edhe suspendimin e policit me inicialet F.K.

KALLXO.com, gjatë ditës së sotme ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës, për zyrtarin me inicialet F.K.

Të njëjtit kanë rekomanduar që t’i referohemi raportit policor ditor.

“Sa i përket veprimeve fillestare, ju lutem t’i referoheni të dhënave në raportin 24 orësh, ndërkaq për veprimet vijuese, ju lutem t’i referoheni veprimeve të ndërmarra nga IPK”, thuhet në përgjigjet e policisë.

Në raportin ditor të policisë, zyrtari figuron si viktimë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti në polici është hapur si lëndim i lehtë trupor në favor të policit, ndërsa IPK ka rekomanduar suspendimin e të njëjtit pasi dyshohet për kanosje.