
Ilustrim
Dyshohet se keqpërdorën afër 90 mijë euro të Ministrisë së Kulturës, arrestohen tre zyrtarë të Federatës së Karatesë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre zyrtarë të Federatës së Karatesë së Kosovës, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “mashtrim me subvencione”, duke i shkaktuar dëm Buxhetit të Ministrisë së Kulturës, afër 90 mijë euro.
Policia njoftoi se hetuesit nga Sektori për Hetime Financiare, pas hetimeve të kryera dhe dëshmive të mbledhura, kanë arritur që të ngrisin dyshime se zyrtarët e FKK-së kanë keqpërdorur mjetet financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas komunikatës së Policisë, të dyshuarit N.G., 50-vjeçar; F.M., 42-vjeçare dhe I.K., 56-vjeçar, me veprimet e tyre kundërligjore, dyshohet se në periudhën kohore 2019-2023 i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS në vlerë prej 87 mijë e 463 euro.
Policia theksoi se të dyshuarit janë arrestuar, janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “mashtrim me subvencione”.
Po ashtu, Policia njoftoi se pas intervistimit, ndaj të dyshuarve N.G. dhe F.M. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa I.K. është liruar në procedurë të rregullt.