Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Dyshohet se inskenuan përleshjen mes veti burrë e grua në Ferizaj, arrestohen
Policia në Ferizaj ka arrestuar dy të dyshuar, burrë e grua, pasi u kuptua se kishin dhënë deklarim të rrejshëm.
Fillimisht, Qendra Emergjente në Ferizaj e ka informuar Policinë më 29.10.2024, rreth orës 23:00, se një grua e moshës 21 vjeç, shtetase e huaj me vendbanim në Ferizaj është duke u trajtuar aty.
Sipas Policisë, dyshohej se 21-vjeçarja ishte sulmuar me një mjet të mprehtë nga një person tjetër.
“Policët e rendit menjëherë kanë shkuar në këtë qendër dhe dyshohej se në rrugën ‘’Tahir Sinani’’ në Ferizaj viktima ishte sulmuar nga një person tjetër me një mjet të mprehtë (thikë) dhe ishte larguar në drejtim të panjohur” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.10.2024.
Hetuesit policorë me autorizim të prokurorit të shtetit kanë nisur hetimet dhe në cilësinë e dëshmitarit e kanë intervistuar burrin e të sulmuares, i cili është i moshës 29 vjeç, shtetas i Kosovës.
Edhe burri i 21-vjeçares kishte dhënë versionin e njëjtë të sulmit nga një person tjetër dhe si rrjedhojë rasti fillimisht është inicuar si ‘lëndim i lehtë trupor’.
Më tej, hetuesit kanë vazhduar hetimet dhe kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, por nuk kanë gjetur asnjë gjurmë sipas raportimit të parë.
Si rezultat i kësaj, hetuesit kanë vazhduar hetimet në shtëpinë e çiftit dhe kanë gjetur disa prova.
“Ndërsa hetuesit kanë shkuar në shtëpinë e tyre ku ishin duke banuar dhe aty kanë hasur në gjurmë gjaku dhe mjete të mprehta ( thika), me të cilat dyshohet se ishin përdorur gjatë një përleshje mes tyre dhe për këtë, i dyshuari E. B. (bashkëshorti), i cili edhe ky kishte lëndime trupore ka pranuar se kanë inskenuar rastin së bashku me bashkëshorten e tij dhe kanë deklaruar rrejshëm” – njofton Policia.
Policia ka njoftuar se të dyshuarit pasi kanë marrë trajtimin mjekësor janë shoqëruar në Stacionin e Policisë në Ferizaj dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ricilësuar rasti – lëndim i lehtë trupor, dhunë në familje dhe deklarim i rremë, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore.