Dyshohet se e vrau babanë e pastaj e hodhi në pus, arrestohet 30-vjeçari në Durrës
30-vjeçari me iniciale E.B. u arrestua nga Policia në Durrës nën dyshimin se e vrau babanë e tij e më pas e hodhi në pus.
Rasti është raportuar në fshatin Shënavlash të Durrësit.
“Pas një pune intensive hetimore të bërë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit E. B., 62 vjeç”- thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i është sekestruar një armë e zjarrit (pistoletë), kasafortë e hapur me gjëra të forta, ku mbante lekët i dyshuari.
“Shtetasi E. B., 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, Durrës, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij, shtetasi E. B., 62 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të”- thuhet tutje në njoftim.
Djali tjetër i viktimës A.B u deklarua në Polici se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe në rrjetin social Instagram i kishte ardhur një mesazh nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin pasi ai ishte larguar me pushime.
“Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të shtetasit E. B., konkretisht shtetasi E. B., 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari”- ka bërë të ditur Policia e Shtetit.
Ndryshe, policia ka njoftuar se trupi i shtetasit E. B. u transportua në morgun e spitalit të Durrësit për ekzaminim mjekoligjor.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.