Dyshohet se e shfrytëzuan parkingun e Ministrisë për ‘rent a car’, suspendohen 6 zyrtarë të MPB-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot janë pezulluar gjashtë zyrtarë të kësaj Ministrie pas raportimeve që të njëjtit shfrytëzuan parkingun e institucionit për të dhënë vetura me qira.

Sveçla ka bërë të ditur se rasti është iniciuar në Policinë e Kosovës dhe zyrtari Riza Alshiqi dhe pesë zyrtarë të tjerë janë pezulluar nga detyra.

“Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra”- ka njoftuar ai.

Sveçla ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet që të gjithë keqpërdoruesit të ballafaqohen me drejtësi.

Pas raportimit në media, Sveçla më 16 prill kishte njoftuar se ka kërkuar hetim ndaj zyrtarit Alshiqi për shfrytëzimin e parkingut të pronës së këtij institucioni për vetura me qira.