Foto: KALLXO.com Ilustrim

Dyshohet se e ngacmoi seksualisht të miturën në autobus, Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim për të dyshuarin

Një vajzë 17-vjeçare, e cila po udhëtonte në autobus në drejtim të një fshati të komunës së Gjilanit, dyshohet se është ngacmuar seksualisht të premten nga një burrë rreth të 50-tave, i cili po ashtu ishte në autobus.

Në kërkesën e Prokurorisë së Gjilanit për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarit, të siguruar nga KALLXO.com, tregohet se rasti ka ndodhur të premten, më 25 nëntor.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri fillimisht e ka vëzhguar dhe e ka përcjellë të miturën, e më pas është ulur në ulësen mbrapa saj dhe nga ana e majtë e ulëses ka zgjatur dorën dhe ka filluar ta ledhatojë në pjesën e përparme të belit.

Viktima ia kishte tërhequr vërejtjen dhe ia kishte larguar dorën.

Sipas Prokurorisë i pandehuri me veprimet e tij ka shkaktuar tek e dëmtuara ndjenjën e pasigurisë, frikës dhe shqetësimit të madh emocional.

I dyshuari për sulm seksual është ndaluar në Polici më 26 nëntor, ndërsa kërkesa për paraburgim është ushtruar sot.