Dyshohet se e mbushi me derivate veturën personale, arrestohet drejtori i Spitalit të Ferizajt

Ushtruesi i Detyrës së drejtori të Spitalit të Ferizajt, Halit Gërbeshi, është arrestuar sot për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I njëjti është ndaluar për 48 orë.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, i dyshuari ka furnizuar veturën e tij private me derivate të naftës në kuadër të tenderit të paraparë për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.

Me këtë rast, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se pas një hetimi një mujor nga ana e Prokurorisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin H. G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjithashtu bën të ditur se brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të vendos për procedurat e mëtejme hetimore.