Foto: Ilustrim

Dyshohet se dy meshkuj dhunuan dy vajza të mitura në Ferizaj, njëri arrestohet tjetri në arrati

Policia e Kosovës, ka arrestuar në Ferizaj një person, nën dyshimin e bashkëpërfshirjes në dhunim të dy vajzave të mitura, ndërsa personi tjetër i dyshuar se ka qenë pjesë e këtij akti, ndodhet në arrati.

Dy viktimat, sipas Policisë së Kosovës, janë dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa rastin sipas organeve të rendit, e ka paraqitur një grua kosovare e cila ka raportuar se, dy viktimat e mitura vajza kosovare, janë dhunuar nga dy të dyshuar të moshës madhore meshkuj kosovarë.

“Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe gjatë hetimit kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, i cili me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse viktimat janë dërguar në IML për ekzaminim mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

Vjosa Baftiu, zyrtare për informim në Prokurorinë e Ferizajt ka thënë se deri tani një person është arrestuar dhe i njëjti është ndaluar.

“Mund të konfirmoj se deri më tani një person është arrestuar për shkak të veprës penale sulm seksual. Gjatë ditës Prokurori kujdestar besoj se do të paraqes edhe kërkesën për caktimin e paraburgimit”, ka thënë për KALLXO.com Baftiu.