Dyshohet se dëmtoi pamjet e kamerave ku u krye aksioni anti-drogë në veri, arrestohet një zyrtar policor

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit.

Zyrtari policor është arrestuar sot në mbrëmje kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë .

6 milionë euro është vlera e drogës së sekuestruar dhe 1.5 milion euro është vlera e pajisjeve të shkatërruara nga laboratori i drogës në Izvor, në afërsi të kufirit me Serbinë, gjatë aksionit që është realizuar dje nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Në Izvor është zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.