Dyshohet se dëmtoi buxhetin e komunës për 3 mijë euro, dënohet me kusht Menaxheri i Prokurimit në Dragash

Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar menaxherin e Prokurimit në Dragash, Nuro Ismaili.

Ismaili po akuzohet se ka lidhur kontratë për furnizim me dru e pelet me një operator më të shtrenjtë, pa i plotësuar të gjitha dokumentet si dhe dështoi të marrë sigurinë e tenderit.

Të enjten, kjo gjykatë për akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Ismailit i shqiptoi dënim me kusht në kohëzgjatje prej një viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej dy viteve nuk kryen vepër të re penale.

Gjykata udhëzoi palët se ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Kujtojmë se në seancën e kaluar, Prokuroria e Prizrenit kërkoi që të shpallet fajtor dhe të dënohet menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Dragash, Nuro Ismaili.

Prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, deklaroi se me veprimet e të akuzuarit janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale.

Prokuroria kërkon dënimin e menaxherit të Prokurimit në Dragash, i akuzuari lirimin

Ndërkaq, i akuzuari në fjalën përfundimtare i kërkoi gjykatës të marrë vendim lirues.

“E lus Gjykatën që të marrë parasysh se ka qenë rekomandimi për auditim dhe se kjo situatë ka ndodhur pas shumë viteve përvojë. Nuk them se jam ideal, gjithmonë ka vend për gabime, dikush e konsideron se kam gabuar e dikush jo, prandaj Gjykata le të vendosë” – ka thënë mes tjerash Ismaili.

Sipas Prokurorisë, Nuro Ismaili po akuzohet se në muajt mars-qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Dragashit, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi”

Ismaili thuhet se në kundërshtim me ligjin, ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 3 mijë euro.

I njëjti akuzohet se ka dështuar që të konfiskojë sigurinë e tenderit të datës 5 maj 2019 në shumën prej 3 mijë eurove për furnizim me dru për ngrohje dhe pelet nga operatori ekonomik “Avni Murtezi”.

Ismaili, sipas aktakuzës, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, në kundërshtim me ligjin, ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

“Pa i plotësuar të gjitha dokumentet, lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 3 mijë euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës”- thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime, Ismaili po akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.

https://kallxo.com/tag/nuro-ismaili/