Dyshohen se keqpërdorën 3 milionë euro, shtyhet gjykimi ndaj zyrtarëve doganorë

13 të pandehur po akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje, kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës me rreth 3 milionë euro, në mesin e tyre 9 zyrtarë doganor. Ata kanë dalë sot përpara Gjykatës së Prizrenit.

Sipas Prokurorisë Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija po ngarkohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit.

Pos zyrtarëve doganorë të përfshirë në këtë rast janë edhe Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha të cilët po akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.

Të pandehurit e lartcekur, sipas prokurorisë ngarkohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit në vlerë rreth 3 milionë euro.

Në seancën e shqyrtimit fillestar mbrojtësi i të akuzuarit Besart Malaj, avokat Teki Bokshi pati ngritur dyshime se hetimet kanë zgjatur më tepër se sa lejon ligji.

“Prokuroria nuk ka përmbushur në tërësi detyrimet sipas ligjit për shkak se është dashur që të na dorëzohet aktvendimi mbi fillimin e hetimeve”, tha avokati.

Ai kërkoi nga Prokuroria që të pajisen me dokumentacionin relevant për propozimin dhe lejueshmërinë e zgjatjes së afatit të hetimeve ngase sipas tij kjo çështje nuk ka pasur bazë juridike.

Mbrojtësit e tjerë i mbështetën pretendimet e avokatit Bokshi, duke shtuar se kërkojnë nga prokuroria aktvendimin për zgjerimin e hetimeve ndaj të akuzuarve Jeton Berisha dhe Driton Kurshumlisë.

Meqenëse mbrojtësit e shihnin të arsyeshme të pajisen me shkresat e prokurorisë, prokurorja Ervehe Gashi pati sqaruar se lënda është shumë voluminoze prandaj i duhen disa ditë që t’iu dorëzojë këto aktvendime.

“Sa i përket propozimeve për aplikim dhe zgjatjen e masave të hetimit të fshehtë ekzistojnë vendimet e gjykatës apo urdhëresat nga të cilat shihet se propozimet e Prokurorisë janë bërë me kohë”-shtoi prokurorja Gashi.

Lidhur me këtë, avokati Teki Bokshi konsideroi se kushtet ligjore nuk janë plotësuar, prandaj i mbrojturi i tij nuk ka mundësi të deklarohet lidhur me pranimin apo jo të fajësisë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, aprovoi propozimet e avokatëve mbrojtës dhe obligoi përfaqësuesen e Prokurorisë që në afat prej 15 ditëve avokatëve t’ua sigurojë provat e lartcekura.

Nën këto rrethana, shqyrtimi i sotëm fillestar u shty dhe u caktua për datën 20 dhjetor.

Hetimet për kontrabandim me cigare kanë filluar që nga viti 2018 dhe si të dyshimtë kanë qenë të përfshirë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës.

Prokuroria e Prizrenit me 17 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve doganorë, nën pretendimin se kanë keqpërdorur pozitën  zyrtare.

Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija se nga viti 2018 – 2019 në pikë kalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit në bashkëkryerje, si zyrtar doganor 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogram, Filtër për cigare “Grande” – 1 milion e treqind mijë copë, Filtër për cigare “Gentleman” 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’ të gjitha nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të pandehurit e lartcekur ngarkohen se i kanë shkaktuar rreth 3 milionë euro dëm material buxhetit të Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar.

Kurse sipas prokurorisë, katër të pandehurit e tjerë Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen se nga viti 2018-2019, në pikë-kalimin kufitar Vërmicë Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje nga Shqipëria për në Kosovë pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur mallrat e lartcekura pa leje të posaçme nga organi kompetent.

Me anë të këtyre veprimeve katër të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej rreth 3 milion euro.

Dogana kap 80 mijë kilogramë duhan të kontrabanduar, suspendohen 9 zyrtarë doganorë