Foto: Pixabay

Dyshohen për vrasje në tentativë, Policia kërkon ndihmë për gjetjen e dy personave

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për informacione në lidhje me vendndodhjen e dy personave, të cilët dyshohen se kanë lidhje me një rast të vrasjes në tentativë.

Dy personat e dyshuar janë nga rajoni i Gjakovës dhe dyshohet se kanë lidhje me një “vrasje në tentativë” që u raportua më 20.01.2025.

“Policia e Kosovës – Sektori Rajonal i Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë po vazhdon hetimet intensive lidhur me një rast të vrasjes në tentativë, i cili është raportuar më 20.01.2025. Gjatë hetimeve janë identifikuar edhe dy persona të dyshuar, mirëpo pavarësisht përpjekjeve operative dhe hetimore nuk është arritur të sigurohet prezenca e tyre.” – thuhet në njoftimin e Policisë.


Simon Tahirit, 25-vjeçar dhe Enrik Berishës, 26-vjeçar Policia ua ka publikuar edhe fotografitë.

“Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjakovë Policia e Kosovës bën publike fotografitë e personave të dyshuar, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Të dyshuarit janë: Simon (Mark) Tahiri, i lindur më 01.11.1999, banues në fshatin Dol – Gjakovë dhe Enrik (Kristë) Berisha, i lindur më 20.06.1998, banues në fshatin Jahoc – Gjakovë.” – bëri të ditur Policia e Gjakovës.

Policia ftoi qytetarët “që nëse kanë ndonjë informacion mbi vendndodhjen e personave të kërkuar, të njoftojnë menjëherë Policinë përmes Stacionit më të afërt Policor ose duke kontaktuar në numrat 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë).”

Policia mes të tjerash siguroi se çdo informacion do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.