Dyshkallshmëria nuk e uli numrin e ankesave në OShP (VIDEO)

Rreth 150 projekte të komunave janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak të ankesave të bëra nga bizneset.

Kryetarët e komunave vazhdimisht janë ankuar në Gjykatën e Tenderëve për bllokim të projekteve. Zvarritja e projekteve është një prej shkaqeve që shumë komuna e përfundojnë vitin pa arritë me e shpenzu buxhetin e dedikuar për investime kapitale.

Për të eliminuar zvarritjet e projekteve për shkak të ankesave, në vitin 2016 ishte ndryshuar Ligji i Prokurimit duke iu dhënë mundësi bizneseve që të ankohen në dy shkallë, në rast të pretendimeve për shkelje ligjore nëpër tenderë.


Por, komunat nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë e krijuar me nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit për të ulë numrin e tenderëve që përfundojnë në Gjykatën e Tenderëve.

KALLXO.com e kishte bërë një hulumtim në vitin 2018, i cili tregonte se mbi 95% e vendimeve në shkallën e parë ishin në favor të autoriteteve kontraktuese.

“Futja e këtij neni në ligj realisht ka qenë një lloj sfide, një lloj prove sepse është menduar se do të zvogëlohet numri i ankesave për OShP-në, që realisht nuk ka ndodh, mirëpo janë trajtuar ashtu siç janë paraparë me ligj, te ne janë trajtuar sipas akteve ligjore. Ka pasur raste që i kemi pranuar por edhe i kemi refuzuar. Numrin total të ankesave e ka zvogëluar por nuk janë të gjitha ato që janë aprovuar sepse ka pas edhe refuzime. Sa është treguar i suksesshëm, është se lëshimet që ka mundur t’i bëj një komision, janë korrigjuar faktikisht por efekti që është menduar i nenit 108, besoj që nuk e ka arritur për një arsye të thjeshtë, AK nuk e ka autoritetin me vendos për atë kërkesë….”, ka thënë Zekë Bardhaj, udhëheqës i Prokurimit në Komunën e Prishtinës.

Zekë Bardhaj, udhëheqës i Prokurimit në Komunën e Prishtinës

Bardhaj ka treguar se Komuna e Prishtinës, 20% të ankesave i ka vendosur në favor të bizneseve.

“Në vitin 2019 i kemi pasur 75 kërkesa për rishqyrtim prej të cilave 15 i kemi kthyer në favor të operatorëve ekonomik. Në vitin 2020, është shtuar ai numër, i kemi 102 kërkesa për rishqyrtim por është shtuar edhe numri i aprovimeve për operatorët, 21. Këtë vit, deri në gusht, i kemi pasur 45 kërkesa për rishqyrtim dhe i kemi pesë në favor të operatorëve, kjo është një pasqyrë deri në muajin gusht”, ka thënë ai.

Diana Metushi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se mundësia e bizneseve për t’u ankuar fillimisht tek autoriteti kontraktues nuk e ka ulë numrin e ankesave në OShP.

Diana Metushi, KDI

“Ideja ka qenë e mirë, meqë kudo ku ka llogaridhënie, ku ka një përkushtim ish dashtë me shërby si një mekanizëm për përshpejtimin e procedurave të prokurimit. Ne fatkeqësisht kemi kontrata që janë në procese ankimore në OShP, në këtë ping-pongun e ankesave me vite të tëra dhe përsëri, përfundimisht e pëson qytetari. Mirëpo, në praktikië, ajo ka dështuar, jo që nuk është ulë numri i ankesave në OShP por vetëm sa ka shkuar dhe është rritë numri i ankesave në OShP. Një prej problemeve pse ndodh diçka e tillë është për shkak se fatkeqësisht ne jemi të prirur për mos të pranuar kritikën pozitive dhe është vështirë për dikë që e ka bërë një vlerësim të gabueshëm…do të duhej që ankesat të shikohen nga komuna të ndryshme që të hiqet subjektiviteti në vlerësim”, tha ajo për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Osman Vishaj, kryetar i KRPP-së thotë se janë shumë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e ankesave të bizneseve që janë dorëzuar në OShP.

“Jo, nuk e ka ulë. Janë një mijë faktorë të tjerë që kanë rezultuar ose që janë shkaktar të rritjes së numrit të ankesave, që ndoshta duhet një emision i tërë për me u marrë me këtë, është temë goxha e madhe edhe sot që po flasim në Kosovë”, thotë ai.

Osman Vishaj – Foto: KALLXO.com

Vishaj ka thënë se është modifikuar neni që mundëson ankimimin në dy shkallë.

“Tash që po bëhet ligji i ri, a është heq dyshkallshmëria? Plotësim ndryshimi i ligjit të ri të prokurimit publik, është formuar një grup nga Ministria e Financave për trajtimin e këtij ligji, e kemi dërguar në Ministrinë të Financave ku do të hapen edhe diskutimet publike. Kjo nuk është heq, por është modifikuar që brenda pesë ditëve me filluar afatet ligjore të ecin pra është modifikuar dhe është lënë edhe dyshkallshmëria, është zvogëluar koha”, deklaron ai.

Zekë Bardhaj, udhëheqës i Prokurimit në Komunën e Prishtinës thotë se vetëm rreth 40% e vendimeve të OShP-së janë në favor të Komunës.

“Kemi një analizë të viteve 2019 dhe 2020 dhe sipas viteve në vitin 2019, prej 255 aktiviteteve ka 61 ankesa. Në vitin 2020 prej 206 aktiviteteve, ka 71 ankesa ndërsa deri në gusht të 2021 prej 158 aktiviteteve ka 39 ankesa. Prej këtyre ankesave,  për vitin 2019 numri i vendimeve që kanë nga OShP-ja për 61 ankesa, është 53 prej të cilave, 20 janë në favor të komunës. Kjo do të thotë se është aprovuar rekomandimi i komunës ndërsa të tjerat janë në rivlerësim. Në vitin 2020, prej 71 ankesave kemi 55 vendime dhe janë 20 në favor të komunës dhe gjatë këtij viti deri në gusht kemi 39 ankesa kemi vetëm 16 vendime dhe 10 janë favor tonin. Numri i vogël nga OShP për këtë vit është për shkak të mungesës së bordit, çështja e ankesave nuk dihet çfarë epilogu do të kenë”, ka thënë ai.

Numri i ankesave në OShP është rritur nga viti në vit. Derisa në vitin 2019, OShP-ja ka pranuar 981 ankesa, në vitin 2020 numri i ankesave ka shkuar në 1 mijë e 184.

Vetëm në vitin 2020, Gjykata e Tenderëve në mbi 600 tenderë ka gjetur shkelje ligjore, duke i anuluar vendimet e institucioneve.