Foto-ilustrim

Dyshimi për dhunimin e 11-vjeçares, gjykata vendos për të dyshuarin e pestë

Një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga 5 persona në Prishtinë.

Gjykata e Prishtinës njofton se ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të dyshuarit SH.K.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.K  e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Sipas njoftimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e kësaj vepre penale dhe se ekziston rreziku që i pandehuri me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, i njëjti mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale.

I dyshuari i pestë për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë u arrestua dje nga Policia e Kosovës.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek 11-vjeçare dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr 11-vjeçares rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.