Dyshimet se Policia e Kosovës zbatoi vendimin e Qeverisë se Serbisë për 24 orë

Të dhënat zyrtare të institucioneve të sigurisë në Kosovë tregojnë se ka dyshime që Policia e Kosovës për 24 orë kishte zbatuar vendimet e qeverisë së Serbisë në 4 komuna të veriut.

Ndonëse nuk ka pasur asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës më 7 korrik, pjesëtarë të Policisë së Kosovës kishin zbatuar vendimin e Qeverisë së Serbisë që e kishte shpallur presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Goran Rakiq.

Më datën 7 korrik nuk ka pasur asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës që kufizon lëvizjen e qytetarëve pas orës 21:00 për komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë, i datës 8 korrik, ishte një tentim për të mbuluar ato çfarë ndodhën 24 orë më herët, më 7 korrik në katër komunat veriore.

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e minoritetit serb, Goran Rakiq përmes një konference për media kishte njoftuar se shtabet emergjente të katër komunave do të marrin vendim për të kufizuar lëvizjen, në bazë të vendimit të Qeverisë së Serbisë.

“Nga sot dhe gjatë javës në vijim, nga ora 21 në mbrëmje e deri në 5 të mëngjesit ndalohet lëvizja e të gjithë personave, përpos atyre që janë përgjegjës për luftën kundër pandemisë dhe mirëmbajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, është vendim i Shtabeve të Krizës, ka theksuar Rakiq, raporton Kossev.

Kjo konferencë e Goran Rakiqt ishte mbajtur disa orë pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar se do t’i vendosin masat e qeverise serbe në katër komunat e veriut të Kosovës.

“Në veri të Kosovës dhe Metohisë, situata është më e vështirë për ne sa sa ishte më herët, dhe ata do ti marrin masat kufizuese në përputhje me vendimet e Qeverisë së Serbisë”, kishte deklaruar Vuçiq më 7 korrik në Beograd.

Pas publikimit të lajmeve për shpalljen e masave të qeverisë së Serbisë në 4 komunat e veriut, qeveria e Kosovës, 24 orë më vonë, pa lajmëruar fare për rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë, njoftoi se ka marrë vendim të kufizoj lëvizjen për këto katër komuna.

“Nga data 8 korrik 2020, nga ora 21:00 deri në orën 05:00, të ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit”, thuhet në komunikatën e mbrëmshme të Qeverisë.

Para se Qeveria të publikonte vendimin, kryeministri Hoti i pyetur në konferencë nga KALLXO.com tha se në veri zbatohet vetëm ligjet e Kosovës dhe asnjë ligj tjetër.

“Sa i përket komunave në veri, atje vlen vetëm Ligji i Kosovës. Asnjë ligj tjetër. Ne si qeveri do të marrim vendim, nëse ka nevojë për kufizim të lëvizjes. Policia e Kosovës duhet të zbatojë zbatimet e Qeverisë sonë. Policia zbaton vetëm vendimet e Qeverisë së Kosovës, asnjë vendim tjetër”, ishte përgjigjur Hoti.

KALLXO.com ka siguruar edhe një raport të Policisë së Kosovës më 7 korrik, kur policët kujdestar raportojnë tek eprorët e tyre për ankesat e disa qytetarëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut janë ankuar se disa pjesëtarë të policisë po i largojnë qytetarët nga rruga dhe po i mbyllin lokalet pas orës 21:00.

Pra 24 orë para se Qeveria të merrte ndonjë vendim, pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë zbatuar vendimet e Qeverisë së Serbisë.

“Ju njoftoj se gjatë intervalit kohor 21:15-21:41 kemi pasë disa ankesa nga qytetarët-banor të pjesës veriore të Mitrovicës të cilët janë ankuar se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të stacionit veri janë duke i larguar qytetarët dhe duke i mbyllur lokalet”, thuhet në raportin e policisë që e ka siguruar KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, për të pyetur në lidhje me ngjarjet e 7 korrikut në 4 komunat veriore, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë, Nysret Mehmeti, i cili e ka konfirmuar për KALLXO.com se qyetarë të Mitrovicës së Veriut janë ankuar për këtë.

“Është e vertetë se kemi pranuar informata për këtë, por jo ankesa në stacion. Informatat i kemi pranuar në numrin 192, sepse edhe thirrjet prej veriut vijnë te na. Na s’kemi patrolla në anën e veriut. Nuk kemi mujtë më vërtetu, sepse nuk është përgjegjësi e jona”, tha zëvendësdrejtori

“I kemi njoftu edhe në Prishtinë edhe në Mitrovicë të veriut, por s’kemi marrë përgjigje”, tha zëvendësdrejtori Nysri Mehmeti.

Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha për KALLXO.com se nuk ka pasur asnjë informacion për këtë.

Ai premtoi se nesër në mëngjes do ta shoh këtë çështje dhe do të veproj.

“Asnjë ankesë nuk ka arritur tek unë. Nesër në mëngjes e shoh këtë çështje dhe komunikojmë. Nesër e shoh çfarë ka ndodhur”, tha drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Përveç Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, në këtë masë të kufizimit të lëvizjes janë edhe Prishtina, Vushtrria, Ferizaj e Prizreni.

Të dhënat zyrtare të institucioneve të Kosovës raportojnë se në katër komunat veriore në 14 ditët e fundit janë shfaqur vetëm 2 raste pozitive.

Në raportimet e përnatshme të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që nga data 25 qershor e deri më 8 korrik, në 4 komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë dalë vetëm 2 raste pozitive.

Këto dy raste pozitive të raportuara sipas IKShPK-së kanë dalë në komunën e Zubin Potokut. Njëri rast me datën 7 korrik dhe një rast tjetër me datën 5 korrik.

Të dhënat e IKShPK për 14 ditët e fundit për 4 komunat e veriut Grafika: KALLXO.com

Institucionet shëndetësore të Kosovës si dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë asnjë informacion tjetër për rastet aktive apo të infektuara në këto komuna.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës njoftoi mbrëmë se ka marrë vendim që të kufizoj lëvizjen nga ora 21:00 deri ën 05:00 të mëngjesit për këto 4 komuna, ndonëse informacionet zyrtare të institucioneve shëndetësore në 14 ditët e fundit tregojnë vetëm për dy raste pozitive.

Mirëpo, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës e as Qeveria e Kosovës nuk japin informacione të sakta mbi shëndetin publik në këto 4 komuna.

Sipas një artikulli të Radios Evropa e Lirë, vetëm në 3 javët e fundit në këto 4 komuna janë ifnektuar 139 persona, ndonëse institucioni kryesor, IKShPK nuk e jep këtë informacion.

“Vetëm në tre javët e fundit numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 139. Nga ky numër, 122 janë nga komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ndërsa 17 janë nga zonat e tjera të banuara me serbë në Kosovë”, ka shkruar REL.