Dyshimet se kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit, Këshilli Prokurorial anulon konkursin

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë të ditur se do të anulohet konkursi për rekrutim të bashkëpunëtorëve profesionalë në prokuroritë e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit.

Ky vendim erdhi pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com ku kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, dyshohet t’ia ketë dërguar pyetjet e testit të konkursit një kandidat.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet e ngritura në media për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesional nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

“Po ashtu, edhe U.D Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, njofton opinionin publik se do të anulohet në tërësi konkursi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren duke e kthyer atë në pikën zero”, thuhet në njoftim.

Sipas KPK-së, do fillojnë procedura ligjore ndaj kryeprokurorit Ramiz Buzhala si dhe do merren veprime edhe ndaj anëtarëve të komisionit të këtij procesi.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron opinionin publik se pas kërkesës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit si autoritet kompetent dhe, në bazë të autorizimeve që ka, do t’i fillojë procedurat ligjore ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Për më tepër, U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, në bazë të autorizimeve të tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj anëtarëve të komisionit të këtij procesi”, thuhet më tej në komunikatë.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO