Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Dyshimet se 36-vjeçarja vdiq nga një dozë gjaku që iu dha gabimisht
Katër mjekë janë intervistuar për rastin e vdekjes së dyshimtë të Sabrie Fazliut në repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nazmi Fazliu, bashkëshorti i të ndjerës, në një intervistë për KALLXO.com ka theksuar se ka ngecje në trajtimin e rastit.
Hetimi është pushuar për katër mjekët e intervistuar, ndërsa dosja e tyre qëndron pezull në Prokurorinë e Prishtinës me arsyetimin se është duke u përkthyer.
Hulumtuesit e KALLXO.com kanë kontaktuar me mjekët e intervistuar dhe kanë përgjigjet tyre për rastin në fjalë.
Mjekët e kontaktuar janë Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja, Bashkim Sheholli, të cilët vazhdojnë punën në QKUK.
Vjosa Zejnullahu, gjinekologe në QKUK, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje dhe ka mbyllur telefonin.
“Shiko, më vjen shumë keq por nuk kam kohë me u marrë me këtë çështje. Kaloni mirë dhe gjitha të mirat! Punë të mbarë!”, ka thënë ajo.
Selman Demolli, mjek specialist, ka thënë se kjo nuk është punë për të, por punë e gjykatës.
“Ajo është punë e gjykatës. Merruni me gjykatë, këqyr çka po thonë! Për besë po! Unë mendoj që nga doktorët kush faj nuk ka për atë punë. Tash le të sheh gjykata më së miri”, ka thënë Demolli.
Ndërsa, Myzeine Muja, anesteziologe, është e lodhur nga hulumtimet e gjata dhe se nuk ka pasur lidhje me këtë rast.
“Ne veç shqetësime sepse nuk kemi pasë kurrgjë faj o vëllau jem… Unë bash personalisht nuk kam pasur lidhje me këtë rast hiç veç kam qenë atë ditë kujdestare. Kaq. Unë kam qenë në kat tjetër. Unë merrem me pacientë të tjerë, mua veç më kanë thanë kur ka qenë pacienti ka pasë me shku me bo CT e rezonancën me u dërgu në Neurologji. Unë lidhje me të nuk kam pasur, e bëhen kësi sene po s’ke çka me ju bo…”, ka thënë ajo.
Specialisti i Neurologjisë, Bashkim Sheholli, pretendon se nuk ka faj dhe se prokuroria nuk I ka informuar më.
“Jo valla nuk më ka informu kurrgjë. Unë nuk kam pasur ndonjë përgjegjësi sepse jam neurolog edhe më kanë thirrë fillimisht sepse nuk kam pasur ndonjë përgjegjësi sepse kam qenë kujdestar, ka kërku pacientja me ia bë një CT të trurit se çka është. Unë jam neurolog me profesion e për diçka tjetër nuk di më shumë. Nuk kanë ditë as ata me ma sqaru pse apo çfarë faji kam pasur, a po kupton?”, ka thënë Sheholli.
Familja Fazliu kërkon zbardhjen e rastit se në çfarë rrethanash kishte vdekur familjarja e tyre 36-vjeçare.
Një raport i Avokatit të Popullit të vitit 2018 kishte gjetur shkelje në trajtimin e rrethanave të vdekjes së edukatores nga Prishtina, e cila vdiq në QKUK pasi kishte shkuar me urgjencë pas keqësimit të gjendjes në vendin e saj të punës.
Prokuroria e Prishtinës tash e 5 vite është duke e pritur që lënda të përkthehet në gjuhen gjermane dhe të dërgohet tek autoritetet atje për ekspertizë sepse autopsia e Mjekësisë Ligjore të Kosovë nuk e sqaron rrethanën e vdekjes.
Dyshimet e para kanë qenë se pacientes i ishte dhënë një dozë gjaku gabimisht mirëpo autopsia kishte konstatuar se dhënia e dozës së gjakut kishte qenë vetëm një shkëndijë nismëtare por jo edhe shkaktar i vdekjes.