Dyshimet për zjarrëvënie të qëllimshme në një shtëpi në lagjen 'Kroi i Vitakut', reagon ministri Krasniqi

Në një shtëpi në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë të Veriut është raportuar një rast i zjarrvënies më 17.09.2024.

Dyshohet se zjarri është shkaktuar me lëndë djegëse.

Në lidhje me këtë ka reaguar Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili potencoi se “nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qendrueshëm”- ka thënë Krasniqi në reagimin e tij në Facebook.

Ministri shtoi se kjo është nxitje e mosdurimit etnik të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi, i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”- përfundoi Krasniqi.

“>

Ndryshe, zëvendësdrejtori i Drejtorisë i Policisë Rajonale të Mitrovicës Veriore, Veton Elshani ka thënë se deri më tani nuk ka dyshuar e as të arrestuar.

“Rreth ores 00:30 patrolla policore e cila ka qenë në patrulim ka vërejtur tym tek një shtepi te Kroi i Vitakut. Kur është afruar afër Policia ka vërejt derën e hymjes e cila ishte duke u djegur. Zjarri është fikur nga patrolla, ndërsa dëme ka pësu dera e hymjes së kësaj shtëpie. Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarrëvënie dhe që ky zjarr është shkaktu nga koktej i molotovit. Për momentin nuk kemi të dyshimtë apo të arrestuar, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriqimit të rastit”- tha ai.

Ndër të tjera, Elshani potencoi për KALLXO.com se pronari i shtëpisë është shqiptar, teksa shtëpia është e pabanueshme.

Dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme në një shtëpi në lagjen ‘Kroi i Vitakut” në Mitrovicën Veriore