Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dyshimet për linë e majmunëve, mostrat dërgohen sot për testim në Holandë

Mostrat e rastit të parë të dyshuar për linë e majmunëve në Kosovë do të dërgohen sot për testim (analiza laboratorike) në laboratorin e OBSH-së, në Holandë.

Zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Era Pireva ka thënë se mostrat planifikohet të dërgohet sot me ndihmën e OBSH-së për në laboratorin referent për patogjen me rrezik të lartë.

Mirëpo siç tha ajo, nuk dihet se kur pritet të dalë rezultati i saj.

“Mostrat nga pacienti i dyshuar me MNKPOX është planifikuar të nisen sot me ndihmën e OBSH-së për në laboratorin referent të OBSH-së për patogjen me rrezik të lartë në Holandë. Nuk kemi ende informata se kur pritet të pranojmë rezultatet pasi që të arrijnë mostrat në Holandë”, ka thënë Pireva.

Ndryshe, ditë më parë është raportuar për një rast të dyshimtë me linë e majmunëve në Kosovë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas ministrisë, pos të dyshuarit, do të mbikëqyreshin edhe rastet e kontaktit të tij.

“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, më datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me linë e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.

Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK më datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, kishte bërë të ditur MSH.

“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./Telegrafi