Foto: Ilustrim

Dyshimet për korrupsion, kërkohet paraburgim për drejtorin e Financave të Komisionit të Pavarur të Mediave

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar paraburgim për drejtorin e Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave, Arben Bilalli.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, tha për KALLXO.com se janë në pritje të trajtimit të kësaj kërkese nga Gjykata.

“Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe jemi në pritje të shqyrtimit nga Gjykata”, tha Ulaj.

Arben Bilalli u arrestua mbrëmë lidhur me dyshimin se ka kërkuar para nga pronari i një biznesi.

Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 euro me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.

Komisioni i Pavarur për Media është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.

Drejtori i KPM-së i arrestuar për ryshfet, deklaroi mbi 90 mijë euro nëpër banka