(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Dyshimet për kërcënimin e avokatit nga Shaban Gogaj, Prokuroria e Pejës nis trajtimin e rastit

Prokuroria e Pejës ka nisur trajtimin e rastit ku po dyshohet se avokati Liridon Tafa u kanos nga i akuzuari Shaban Gogaj.

Avokati i caktuar nga Gjykata, Liridon Tafa, kishte liruar sallën e gjykimit pasi, sipas tij, ishte kanosur nga i mbrojturi i tij, Shaban Gogaj.

Tafa në shkresën që i ka drejtuar Gjykatës, ka treguar se Gogaj e ka kanosur pasi ai ka pranuar ta mbrojë atë në sallë të gjykimit.

“Se atë ditë nuk kam dashtë me ju nxjerrë telashe babës tem dhe mixhës, se ty kush t’ka dërgu aty dhe s’ke çka lypë më, me m’përfaqësu mu. Në momentin kur kam filluar me i shpjegu arsyet e mia si mbrojtësi i juaj, ai më ka ndërprerë dhe më ka thënë ti e hajde paç …. me ardh në seancë, e sheh!” – ka deklaruar avokati se është kanosur nga Shaban Gogaj.

Për këtë deklarim të avokatit Tafa, Prokuroria ka nis trajtimin e rastit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Nikçi tha se nga ana e prokurorit është lëshuar një autorizim për intervistimin e të pandehurit Shaban Gogaj.

“Pasi policia e ka dorëzuar rastin në prokurori, të nesërmen prokurori ka lëshuar autorizim për marrje në pyetje të pandehurit” – shtoi Nikçi.

KALLXO.com kishte raportuar nga seanca ku ishin shpalosur këto pretendime.

Avokati në seancë gjyqësore kishte deklaruar se pas kësaj kanosje ai nuk është me i gatshëm të vazhdojë pasi ndihet i frikësuar dhe i kanosur.

“Dhe duke pasur parasysh rrethanat e krijuara, unë si mbrojtës në gatishmëri nuk mundem me qenë objektiv” – ka thënë ndër të tjera avokati në seancë kur e ka liruar sallën.

Ndërsa i akuzuari Shaban Gogaj deklaroi se nuk e ka kanosur porse i ka thënë ‘hajde me marrë lëndën, fjalën e kam pasë që në qofsh i zoti hajde merre lëndën e kryeje’.

Procesi gjyqësor i Shaban Gogajt është bllokuar prej momentit kur avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për mbrojtje në këtë çështje penale.

Ndërsa ende nuk po arrihet të krijohen kushtet për seancë pasi nuk po arrihet të sigurohet mbrojtja e Gogajt, gjersa ky i fundit ka deklaruar se nuk e dëshiron një mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.

Gogaj po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.