Dyshimet për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve, Agjencia për Informim dhe Privatësi nis trajtimin e rastit ndaj “World Vision”

Në fillim të muajit tetor, KALLXO.com raportoi për dyshimet se një organizatë ndërkombëtare që vepron edhe në Kosovë, po keqpërdorë të dhënat e rreth 3 mijë fëmijëve nga Lipjani.

Dyshimet që fillimisht u ngritën nga prindërit u adresuan në institucione shtetërore. Deri më tani, Policia e Kosovës ka nis të hetoj rastin, ndërsa Komuna e Lipjanit shkëputi një marrëveshje të bashkëpunimit që kishte me organizatën “World Vision”.

KALLXO.com ka dërguar informacione edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për të marrë një qëndrim rreth rastit. Në këtë agjenci kanë thënë për KALLXO.com se kanë nis ta trajtojnë rastin.

“Gjithsesi pas marrjes së informacioneve nga ana juaj, Agjencia do të ndërmerr veprime në bazë të autorizimeve ligjore për të trajtuar këtë rast dhe me përfundimin e procesit, do të dal me njoftim lidhur me çështjen e ngritur”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.

Organizata jo-qeveritare “World Vision” që vepron në tërë botën, por edhe në Kosovë, nisi një program në vitin 2018 përmes të cilit synohej mbështetja e fëmijëve në komunën e Lipjanit. Për këtë, kjo OJQ dhe ekzekutivi lokal lidhën edhe një marrëveshje bashkëpunimi ku u pajtuan për disa pika.

Projekti nënkuptonte se duhet të mblidheshin të dhënat për fëmijët në nevojë dhe nuk shkoi shumë kohë, e numri i fëmijëve të regjistruar, prej 3-12 vjeç, shkoi mbi 3 mijë fëmijë nga rreth 30 fshatra të Lipjanit.

Por, tre vjet më vonë, prindërit filluan të ngrisin dyshime se kjo organizatë po keqpërdorë të dhënat e fëmijëve të tyre. Përderisa atyre ju ishte thënë që të dhënat e fëmijëve po merren për përdorim të brendshëm, prindërit tash po pretendojnë se bërja publike e fotografive të fëmijëve me përshkrim që ka përmbajtje fetare, është bërë pa paralajmërim dhe pa marrë leje paraprake.

KALLXO.com ka biseduar me disa prej prindërve të cilët i kishin fëmijët e tyre të regjistruar në programin e sponsorshipit nga World Vision. Të njëjtit, kanë thënë se nuk do të lejojnë që fëmijët të jenë më pjesë e programit.

Dyshime për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve kosovarë nga organizata ‘World Vision’

www.kallxo.com